Lajme

DnV evidenton 13 raste të fotografimit të votës

12/28/2025 14:12
nga:Sh R

Që nga hapja e vendvotimeve në orën 07:00, sipas vëzhguesve të Demokracisë në Veprim (DnV) procesi i votimit në të gjithë vendin po rrjedh në mënyrë të qetë. Deri në orën 12:00, të drejtën për të votuar e kanë shfrytëzuar rreth 13.7% e qytetarëve (margjina e gabimit +/- 0,35%). Prishtina dhe Ferizaj kanë regjistruar daljen më të madhe deri tani, 15%.

Vëzhguesit e DnV-së kanë raportuar se deri në orën 12:00, vështirësi për t’a gjetur emrin në Listë, rrjedhimisht për t’a identifikuar vendvotimin adekuat është raportuar në 50% të vendvotimeve, por që numri i rasteve ka qenë i vogël, deri në 10 raste të tilla.

“Por ka pasur edhe vendvotime (1,6%) ku një numër i konsiderueshëm i votuesve (deri në 30 votues) nuk e kanë gjetur emrin e tyre në Listë. Prijnë komunat: Prishtinë dhe Pejë.Ka pasur disa raste kur votuesit janë ankuar që dikush tjetër është nënshkruar në emër të tyre në Listën e Votuesve dhe atë në 1.4% të vendvotimeve”, thuhet nga DnV.

Në anën tjetër, votimi me kusht është duke u mundësuar në vetëm një qendër votimi në secilën nga 38 komunat.

Sipas DnV-së, sa i përket votimit me asistencë, deri në mesditë, komisionerët në 61% të vendvotimeve janë duke e zbatuar rregullën dhe janë duke kërkuar dokumentet për të lejuar votimin me asistencë. Për më tepër, në 35% të vendvotimeve, edhe pse votuesit kanë kërkuar të votojnë me asistencë, nuk janë lejuar të votojnë në mungesë të dokumentove mjkësore.

“Deri në orën 12:00, nga numri i deritanishëm i qytetarëve që kanë votuar, vetëm 1% prej tyre kanë votuar me asistencë. Poashtu, në 5% të vendvotimeve kemi hasur në raste të izoluara (deri në 4 raste) ku votues të rinj në moshë kanë kërkuar të votojnë me asistencë. Si trend i përgjitshëm, votimi me asistencë po evidentohet në Libër, por nuk kanë munguar edhe rastet kur votimi me asistencë nuk është zhvilluar konform rregullave, dhe kjo ka ndodhur në 5% të vendvotimeve, ku deri në 10 raste nuk janë evidentuar fare në Librin e Votimit”, thuhet tutje.

Ndonëse fenomen në përmasa të vogla, cenimi i fshehtësisë së votës i manifestuar përmes fotografimit të votës po vazhdon të shfaqet edhe në këto zgjedhje. Fotografimi i votës dhe bërja e saj publike supozohet se ndërlidhet me cenimin e fshehtësisë së votës apo blerjes së saj, por edhe frikësimin e votuesit dhe shtrembërimin e vullnetit të tij.

“Deri në orën 12:00, raste të fotografimit të votës janë 13”, thuhet në komunikatë.