Pas fitores ndaj Aleksandar Kovaçeviqit në turin e parë të Roland Garros, Novak Gjokoviç ka shkruar mesazhin “Kosova është zemra e Serbisë”. Stop dhunës”, e cila shkaktoi shumë reagime në mediat botërore.
Gjokoviç tha pas ndeshjes se në këtë mënyrë dëshiron të mbështesë popullin serb në Kosovë, megjithatë u kritikua shumë për mesazhin politik e nacionalist, përcjell GazetaBlic Sport.
Radmilo Armenulic, ish-tenisti serb ka folur për Danas ku e ka kritikuar bashkëvendasin e tij duke thënë se Roland Garros nuk është vendi për të dërguar mesazhe politike.
“Ai nuk duhet ta bëjë këtë. Mendoj se në turne dhe ngjarje të tilla sportive nuk duhet theksuar, sepse do ta shqetësojë më së shumti. Kur të përfundojë turneu, ai mund të thotë atë që mendon, jo derisa të zhvillohet gara”, thotë Armenulic.
“Ai tha se nuk e dinte nëse do të ndëshkohej dhe se do ta bënte përsëri. Jam i sigurt se do ta dënonin nëse do ta bënte sërish diçka të tillë. Nuk e di kush është në atë komision disiplinor, por e di që janë shumë të ndjeshëm ndaj mesazheve politike, sidomos në Francë”, tha Armenulic, e më pas shtoi:
“Në çdo rast, do të ishte mirë që ai të përqëndrohet në lojën e tij dhe të fitojë turneun, dhe pas kësaj ai mund të thotë çfarëdo që mendon.”


