Uran Rrahmani, i cili përdor karrocën për të lëvizur, është përballur me vështirësi të vazhdueshme në arsimim, për shkak të mungesës së mbështetjes në shkollën e tij “Mihal Grameno” në Fushë Kosovë.
Problemet shëndetësore i janë rritur në klasën e katërt dhe i janë përkeqësuar me rritjen.
Nëna e tij, Mimoza, ka marrë përsipër ta punësojë një asistente për të, pasi shkolla nuk ia ka siguruar. Më pas është bërë vetë asistentja e tij derisa ka përfunduar shkollimin fillor, këtë muaj.
Me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, arsimi fillor është i detyrueshëm dhe pa pagesë.
“Institucionet publike sigurojnë për secilin person mundësi të barabarta për t’u arsimuar, sipas aftësive dhe nevojave të veçanta të tij/saj”, thuhet në Kushtetutë.
Por, në shumë shkolla të Kosovës, Radio Evropa e Lirë ka marrë vesh se prindërit i angazhojnë privatisht asistentët në rast të nevojës – edhe pse një gjë e tillë nuk parashihet me asnjë ligj – dhe ata nuk pengohen.
REL-i pyeti Drejtorinë për Arsim në Komunën e Fushë Kosovës se përse Uranit nuk i është siguruar asnjëherë asistenti/ja, siç pretendon nëna e tij, por nuk mori përgjigje.
Drejtori Fatlum Berisha tha se për nxënësit që duhet të kenë asistent/e në klasë, vendos ekipi vlerësues pedagogjik në secilën komunë.
“I tejkalova vetë sfidat”
Nëna e Uranit thotë se djali i saj nuk i është nënshtruar asnjëherë ndonjë kontrolli të tillë në shkollë.
“E kanë parë të gjithë se ai ka nevojë për asistent. E kanë ditur të gjithë, e ka ditur shkolla… Djali ka aftësi të kufizuar fizike dhe ka probleme edhe me artikulimin”, thotë ajo.
Si i tillë, Urani merr një ndihmë financiare nga shteti në vlerë prej 225 eurosh, ndërsa e ëma, si kujdestare e tij, i merr 150 euro.
Ajo tregon se në klasën e 5-të dhe të 6-të kishte angazhuar vetë asistenten për djalin.
Por, pas rritjes së obligimeve financiare ndaj saj, thotë se në tre vjetët e fundit të shkollimit është detyruar të kalojë vetë në atë rol.
“Jam ndier shumë keq në klasë, sepse kam qenë vetëm prind, nuk kam qenë e kualifikuar për atë punë”, thotë Mimoza.
E shkolluar për kimi, ajo është e papunë dhe jeton me djalin dhe bashkëshortin.
Thotë se kur Urani ishte në klasën e shtatë, në Komunën e Fushë Kosovës ku edhe ishte ankuar, i kishin premtuar se do t’i siguronin ndihmë.
“Urani e përfundoi klasën e nëntë dhe asistenti nuk i erdhi asnjëherë”, thotë Mimoza.
Sfidë tjetër për djalin e saj thotë se ka qenë edhe infrastruktura, pasi shkolla nuk ka pasur tualet të përshtatshëm për djalin, edhe pse është rinovuar vitin e kaluar.
“I tejkalova vetë sfidat”, thotë Mimoza.
Ndonëse autoritetet vazhdimisht zotohen për përmirësim kushtesh, Drejtoria e Arsimit në Fushë Kosovë pranon se ato nuk janë të duhurat në disa shkolla.
“Nuk i kanë të gjitha shkollat kushtet për fëmijët që lëvizin me karrocë”, thotë drejtori Fatlum Berisha.
“Fëmijët që kanë vështirësi në lëvizje, tentojmë t’i vendosim në katin e parë të shkollës”, shton ai.
Nevoja për më shumë asistentë mbështetës në shkolla
Në komunën e Fushë Kosovës me rreth 34.000 banorë, janë rreth 70 fëmijë me aftësi të kufizuara, përfshirë ata në shkolla e kopshte, ndërsa të angazhuar në institucione shkollore janë vetëm tetë asistentë, thotë Berisha.
“Një asistent mund të kujdeset për një apo dy fëmijë brenda ditës”, sipas tij.
Për t’i plotësuar nevojat e fëmijëve të tjerë thotë se trajnohen mësueset e rregullta.
Berisha tregon se komuna e tij, aktualisht, është në përfundim të procedurave për hapjen e një konkursi për dhjetë asistentë.
Situatë e ngjashme sikurse në këtë komunë është edhe në të tjerat.
Në komunën e Prishtinës, për shembull, janë të punësuar 24 asistentë për nxënësit me aftësi të kufizuara, thotë zëdhënësja Arlinda Kastrati.
“Një asistent ofron mbështetje për 1-2 nxënës”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.
Ndërsa, sipas të dhënave nga fillimi i vitit shkollor 2023/2024, janë 471 nxënës me diagnoza të ndryshme që hyjnë në kategorinë e personave me nevoja të veçanta, thotë Kastrati.
Në nivel vendi, aktualisht, janë të punësuar 339 asistentë, të shpërndarë në komuna sipas nevojave, thonë në Ministrinë e Arsimit.
Në një deklaratë me shkrim dhënë REL-it thuhet se ky institucion ka ndarë buxhet për punësimin edhe të 500 asistentëve në të gjithë Kosovën.
Thuhet, po ashtu, se ky numër “nuk do të jetë i mjaftueshëm”, por përgjegjësia hidhet edhe te komunat.
Të dhënat e Ministrisë së Arsimit tregojnë se në vitin akademik 2023/24, numri i nxënësve me aftësi të kufizuara në shkollat parauniversitare publike ka qenë 3.676, ndërsa në qendrat burimore, që po ashtu organizojnë mësim për fëmijët me nevoja të veçanta, ka qenë 305.
Nivel i ulët i shkollimit
Përveç mungesës së asistentëve janë edhe pengesat në transport, infrastruktura jo e duhur në shkolla dhe kushtet ekonomike ato që i shtyjnë shumë prindër të mos i shkollojnë fëmijët me aftësi të kufizuara, thotë Afrim Maliqi, drejtor i organizatës HANDIKOS, e cila merret me të drejtat e personave me aftësi të kufizuara.
Ai thotë se organizata që drejton, është drejt finalizimit të një hulumtimi për përfshirjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara në arsim në komunën e Prishtinës.
Tash për tash, sipas tij, nuk ka të dhëna të sakta.
“Asistentët i mbështesin fëmijët që janë të përfshirë në arsim, por çka me 80 për qind të tjerë që nuk janë të përfshirë në arsim?”, pyet ai.
Në raportin për të drejtat e njeriut që ka publikuar këtë vit Departamenti amerikan i Shtetit, thuhet se në Kosovë vetëm 12-15 për qind e fëmijëve me aftësi të kufizuara janë të përfshirë në arsim.
Eldin Gashi – pjesë e grupit të fëmijëve me aftësi të kufizuara, Hana, që funksionon në shtatë komuna të Kosovës dhe ka rreth 200 anëtarë – e përmend edhe diskriminimin si një prej arsyeve përse fëmijët me aftësi të kufizuara mbesin jashtë institucioneve arsimore.
“Terminologjitë e gabuara që përdoren nga mësimdhënësit, por edhe qasja e gabuar e bashkëmoshatarëve i lëndon [fëmijët me aftësi të kufizuara]”, thotë Eldini – vetë me aftësi të kufizuara – i cili sapo ka përfunduar shkollën e mesme.
Deklaratat e tij i mbështet edhe psikologia Tringa Visoka.
“Duke marrë parasysh edhe vështirësitë që i kanë, bullizimi ua rëndon edhe më shumë gjendjen dhe ndihen emocionalisht të thyer. Psikologët duhet të ndërhyjnë që ata ta kalojnë këtë gjendje”, thotë Visoka për Radion Evropa e Lirë.
E, brengën se si do të trajtohet djali i saj nga shoqëria e ka edhe Mimoza.
“Duhet të përgatitemi për sfidën e radhës që na pret – a do ta pranojnë në shkollë të mesme dhe si do ta pranojnë”, thotë ajo./REL