Flutura Mazreku, me prejardhje nga Kosova dhe e martuar me deputetin kanadez Kyle Seeback, ka treguar se ruajtja e lidhjes me rrënjët shqiptare është shumë e rëndësishme për të dhe familjen e saj.
Ajo foli edhe për djalin e tyre, të cilin e ka pagëzuar Williams Kastriot, dhe mënyrën se si ia transmeton atij gjuhën, traditat dhe historinë e kulturës shqiptare.
Flutura tha se flet vetëm në gjuhën shqipe me djalin dhe i këndon atij ninullat shqiptare, ato që dikur ia kishte kënduar nëna e vet asaj.
“Të jetosh në Kanada është një privilegj i madh për mua dhe familjen time, por ruajtja e lidhjes me rrënjët e mia shqiptare mbetet shumë e rëndësishme për mua. Une flas shqip me prindërit e mi dhe ata flasin vetëm shqip me të birin tim. Poashtu, përpiqem që të birin tim ta përfshij sa më shumë në traditat dhe historinë tonë. Une Kastriotit çdo ditë i këndoj ninulla shqiptare, të njëjtat që mami im mi ka kënduar mua”, tha Flutura për Klankosova.tv.
Ajo theksoi se për të është shumë e rëndësishme që djali i saj të rritet duke e ditur se kush është dhe nga vjen dhe duke ndjerë gjithmonë një lidhje të fortë me rrënjët e tij shqiptare.
“Gjithmonë e kam ditur që do t’i vendosja fëmijës tim një emër shqiptar. Zgjedhja e emrit Kastriot ishte e lehtë për mua, sepse doja emrin më të fuqishëm shqiptar që më vinte në mendje. Për mua, ky emër përfaqëson trashëgiminë dhe vlerat që dua t’ia përcjell djalit tim”, tha Flutura.

Për Fluturën, Pavarësia e Kosovës ka një domethënie të jashtëzakonshme emocionale, pasi e kishte përjetuar edhe nga afër dhe siç thotë ajo, i di vuajtjet dhe sakrificat që ka kaluar populli i Kosovës.
“Pavarësia e Kosovës ka një domethënie jashtëzakonisht emocionale për familjen time. Ne e kemi përjetuar luftën në Kosovë dhe kemi parë nga afër sakrificat dhe dhimbjen që populli ynë ka kaluar. Për këtë arsye, dita e pavarësisë mban për ne një kuptim shumë të thellë. Është një ditë krenarie, por edhe reflektimi për gjithçka që është sakrifikuar për lirinë”, tha ajo në këtë intervistë.

Ndërkaq, për të rinjtë shqiptarë që jetojnë jashtë Kosovës, Flutura u sugjeroi që të jenë gjithmonë krenarë për origjinën e tyre.
“Të rinjve shqiptarë që jetojnë jashtë Kosovës do t’u sugjeroja të jenë krenarë për origjinën e tyre dhe të gjejnë mënyrat e tyre për ta ruajtur lidhjen me kulturën dhe gjuhën shqipe. Shqiptarët gjenden në çdo cep të botës dhe ne jemi jashtëzakonisht të mirë në krijimin e komuniteteve të forta dhe mbështetëse. Kjo e bën shumë më të lehtë për të rinjtë të përfshihen, të krijojnë lidhje me njëri-tjetrin dhe të qëndrojnë të lidhur me trashëgiminë dhe identitetin e tyre”, tha Flutura.
E bashkëshorti i saj, deputeti Kyle Seeback, të premten uroi 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës gjatë një fjalimi në Parlamentin e Kanadasë.
Ai vuri në dukje se Kanadaja ishte ndër vendet e para që e njohu Kosovën.
Në fund të fjalimit, Seeback uroi në gjuhën shqipe: “Urime Dita e Pavarësisë”.


