Lajme

Djali i Maduros e kërkon lirimin e prindërve

01/05/2026 23:40
nga:Lorik J

Nicolas Maduro Guerra, i biri i presidentit të rrëzuar venezuelas, Nicolas Maduro, e ka kritikuar operacionin e Shteteve të Bashkuara për t’i kapur prindërit e tij. Ai e bëri këtë në fjalimin e parë që nga arrestimi i tyre.

Guerra, i cili është kongresist në Venezuelë, tha: “Nëse e normalizojmë rrëmbimin e një kreu të shtetit, asnjë shtet nuk është i sigurt. Sot është Venezuela, nesër mund të jetë cilido shtet që refuzon të dorëzohet. Ky s’është problem rajonal. Është kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj stabilitetit politik global.”

Kongresisti gjithashtu e kërkoi lirimin e prindërve të tij dhe i dënoi Shtetet e Bashkuara për përfshirjen edhe të emrit të tij në aktakuzë, raporton televizioni BBC.

Ndërkohë, sekretari i Mbrojtjes i ShBA-së, Pete Hegseth, tha se “gati 200 prej amerikanëve tanë më të mrekullueshëm shkuan në qendër të Karakasit” të shtunën, kur forcat amerikane e sulmuan kryeqytetin e Venezuelës dhe e kapën Maduron.

Duke folur në një tubim në Virgjinia, Hegseth tha se amerikanët e përfunduan kapjen e personit në kërkim “pa një amerikan të vetëm të vrarë”.

Maduroja dhe bashkëshortja e tij janë duke u mbajtur në Qendrën Metropolitane të Ndalimit në Brooklyn të Nju-Jorkut.

Njohësit e ligjit në ShBA e kanë përshkruar këtë burg si “ferri në Tokë” – me mbingarkesë të të burgosurve dhe mungesë stafi, gjendje që ka shkaktuar shpesh akte dhune, raporton televizioni public britanik.