Lajme

Ditë e rëndë për qytetarët – Viza Jo, Trusti jo!

06/23/2022 18:44
nga:G B

Me vetëm 44 vota pro, sot në Kuvend ka dështuar miratimi në lexim të parë i tërheqjes së Trustit, raporton Gazeta Blic.

Çështja që po priste prej kohësh të vinte në Kuvend nuk arriti të kalonte.

Deputetët e opozitës janë shprehur të zhgënjyer më deputetët e VV-së, që votuan kundër këtij projektligji.

Shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri, në një prononcim për Gazeta Blic, ka thënë se qeveria sërish veproi me kokëfortësi, duke injoruar kërkesën e opozitës në lexim të parë, duke konfirmuar kështu se Qeverisë nuk i intereson jeta e qytetarëve.

“Sot, edhe njëherë qeveria veproi me kokëfortësi, u injorua kërkesa jonë për votim në lexim të parë. Në fakt, sot u konfirmua se Qeverisë nuk u intereson jeta e rënduar ekonomikisht e qytetarëve të Kosovës. Këta janë të preokupuar të dalin mirë para FMN-së e organizatave tjera”, thotë ai.

Tahiri thekson se derisa qeveria vepron në këtë mënyrë, as opozita nuk do t’ia bëjë shumicën në rastet kur ka nevojë.

“Shumica parlamentare ka nevojë në raste të caktuara për votën e opozitës për 2/3 dhe nuk është mirë me shku me kokëfortësi e mos me bashkëpunu me opozitën sepse nëse nuk bashkëpunon me opozitën, pse ne të ja bëjmë shumicën për çështje ata që i vlerësojnë”, shton shefi i GP të AAK-së për Gazeta Blic.

Ai potencon se presin reflektim nga opozita dhe vlerësim se si do të veprojë ajo kur i duhen dy të tretat për marrëveshjet ndërkombëtare.

“Ne jemi duke amandamentuar edhe ligjin për pagën minimale. Në këtë rast presim një reflektim prej shumicës! Mazhoranca ta vlerësojë si do të veprojë kur i duhen dy të tretat për marrëveshjet ndërkombëtare! AAK do të vazhdojë të jetë përkrah qytetarëve të Kosovës”, deklaron Besnik Tahiri./Gazeta Blic/