Lajme

Ditë e kobshme për vendin: Katër jetë të humbura për një ditë

02/08/2026 10:21
nga:Genita C

E shtuna që lamë pas u shënua si një nga ditët më të kobshme për vendin, pasi katër persona humbën jetën në rrethana të ndryshme tragjike.

Ngjarja e parë me fatalitet ndodhi në orët e mëngjesit në fshatin Loxhë të Pejës, ku një aksident trafiku përfundoi me vdekjen e një gruaje, drejtuese e njërës nga veturat e përfshira.

Sipas raportit 24-orësh, lëndime trupore ka pësuar edhe drejtuesi i automjetit tjetër, i cili dyshohet të jetë shkaktar i aksidentit.

“Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi, ndërsa i dyshuari është ndaluar nga policia”, bëhet e ditur në raportin 24-orësh.

Po atë ditë, në mesditë, një person u gjet pa shenja jete në Gjilan.

Vdekja u konstatua në vendin e ngjarjes nga ekipi mjekësor, ndërsa trupi u dërgua për obduksion në IML në Prishtinë. Rasti po hetohet nga organet kompetente, tha Policia.

Një tjetër humbje jete u regjistrua rreth orës 15:00 në rrugën Ferizaj-Prishtinë, ku një punëtor ndërroi jetë pasi ra nga lartësia në vendin e punës, në një objekt ndërtimi.

Viktima siç mësoi Klankosova.tv është identifikuar si Gazmend Ahmeti, i lindur më 1982, nga fshati Mihaliq i Vushtrrisë.

Ai pësoi lëndime të rënda trupore pas rënies, ndërsa rrethanat e sakta të ngjarjes mbeten ende të paqarta.

Dita u mbyll me një tjetër fatalitet, pasi një person, i cili ishte në trajtim mjekësor në QKUK si pasojë e lëndimeve të marra në një aksident trafiku, në rrugën Prishtinë-Pejë nuk arriti t’u mbijetojë plagëve.

Edhe në këtë rast, me vendim të prokurorit, trupi është dërguar për obduksion në IML, ndërsa hetimet janë në zhvillim nga Policia.