Lajme

“Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut”, Kushtetuesja hap dyert për qytetarët

12/12/2024 13:32
nga:N K

Në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka organizuar “Ditën e Gjykatës së Hapur”.

Gjatë qëndrimit para gjykatës, është vërejtur numër i vogël i vizitorëve, derisa nuk ka pasur prononcime për media nga përfaqësues të Gjykatës Kushtetuese.

Në këtë ditë, të gjithë qytetarët, e veçanërisht studentët e drejtësisë, përfaqësuesit e komunitetit juridik dhe vizitorët e tjerë, do të kenë mundësi që të vizitojnë objektin e Gjykatës Kushtetuese dhe të njihen më për së afërmi me Gjykatoren, me Bibliotekën dhe me ambientet në të cilat punojnë gjyqtarët dhe zyrtarët e Gjykatës, si dhe të informohen drejtpërsëdrejti përkitazi me historikun, me punën e deritanishme dhe me kompetencat kushtetuese të këtij institucioni, raporton KP, transmeton Klankosova.tv.

“Organizimi i vizitës së qytetarëve të interesuar do të bëhet në përputhje me kapacitetet akomoduese që ofron ndërtesa e Gjykatës Kushtetuese dhe për grupe prej jo më shumë se pesëmbëdhjetë (15) personash në të njëjtën kohë. Vizitat do të organizohen çdo orë, ndërmjet orës 10:00 dhe 14:00, ndërsa kohëzgjatja maksimale e vizitës do të jetë dyzet e pesë (45) minuta”, është thënë në njoftim.

Në njoftimin e gjykatës poashtu ishte thënë se para vizitës në gjykatë, të gjithë vizitorët e moshës mbi 16 vjeç duhet të kenë me vete dhe të dorëzojnë në recepcion një dokument zyrtar identiteti (kartë studentore, letërnjoftim apo pasaportë).