Është padyshim kryendeshja e Premier League në këtë javë të dhjetë. Në Old Trafford duke nisur nga ora 16:30 luhet derbi i Manchesterit, ai mes United dhe City.
“Djajtë e Kuq” edhe pse pa shumë shkëlqim kanë fituar dy ndeshjet e fundit në kampionat. Fitoret bëhen tre radhazi nëse llogarisim edhe Champions League me të besuarit e trajnerit Erik ten Hag që kanë nisur sërish të “marrin frymë lirisht”.
Nga ana tjetër, City njeh edhe hapa fals këtë sezon teksa u rikthyen te rruga e fitoreve pasi mposhtën Brighton në javën e fundit, para kësaj të besuarit e trajnerit Pep Guardiola kishin koleksionuar dy humbje radhazi. Ndalesat nuk lejohen më për “The Citizens” pasi Arsenal dhe Tottenham fituan ndeshjet e tyre dhe janë gati për t’u “arratisur”. Gjithsesi, një derbi nuk ka favorit dhe është një ndeshje që i ka të treja rezultatet.
Në sezonin e fundit, Manchester United arriti ta mposhtë Cityn në Old Trafford pasi goli i Grealish u përmbys nga Bruno Fernandes dhe Marcus Rashford. Në pesë ndeshjet e fundit që janë luajtur në Old Trafford bilanci është në baraspeshë teksa secila prej skuadrave ka nga dy fitore dhe një ndeshje tjetër që ka përfunduar në barazim pa gola.


