Lajme

Dita e Çlirimit të Kosovës, ish-zëdhënësi i NATO-s ekskluzivisht për GazetaBlic: Jam krenar me shqiptarët, me serbët s’kam asnjë raport

06/11/2024 19:12
nga:G C

Ish-zëdhënsi i NATO-s gjatë fushatës ajrore kundër Serbisë në vitin 1999, Jamie Shea ka folur ekskluzivisht për GazetaBlic rreth përjetimeve të popullatës shqiptare të Kosovës që po përballej me vrasjet masive.

Shea ka treguar lehtësimin që e mori kur NATO kishte përfunduar me sukses misionin dhe bëri që njerëzit të fillojnë të jetojnë në paqe.

“Një ndjenjë e madhe lehtësimi që fushata ajrore e NATO-s kishte përfunduar me sukses dhe se ne të gjithë mund të kalonim nga aspekti më i vështirë dhe më i diskutueshëm i misionit të NATO-s – duke përdorur forcën dhe hedhjen e bombave – në aspektin më pozitiv dhe konstruktiv – stabilizimin e Kosovës dhe aftësimin e saj që njerëzit të jetojnë në paqe dhe liri”, tha Shea.

Tutje ai tregon edhe për ankthin që patën kur dëgjuan se rusët po shpërngulën në Kosovë.

“Kishte një moment ankthi kur rusët u shpërngulën në Kosovë, por për fat të mirë ajo minikrizë u zgjidh në mënyrë paqësore, dhe rusët iu bashkuan KFOR dhe operuan në aeroportin e Prishtinës për disa vite pa incidente”, tha tutje ai.

Por, cili ishte kujtimi më i bukur i Jamie Shea gjatë kësaj periudhe?

“Kujtimi im më i bukur dhe më i qëndrueshëm ishte udhëtimi im në Prishtinë disa ditë pas hyrjes së trupave të para të KFOR-it. Takova popullin e Kosovës dhe mësova se si i kishin mbijetuar dhunës dhe represionit të ushtrisë dhe policisë së Millosheviqit në terren. Përvoja e tyre e bëri rolin tim në NATO të dukej shumë modest. Por isha jashtëzakonisht krenar për atë që kishim arritur të gjithë së bashku”, th Shea.

Ish-zëdhënësi i NATO- tha se as tash nuk ka asnjë raport me serbët, dhe sipas tij, ata ende preferojnë versionin e tyre të historisë.

“Tani nuk kam asnjë marrëdhënie me serbët. Jo me zgjedhjen time, pasi e di që miliona serbë e kundërshtuan diktaturën e Millosheviçit dhe sot duan që vendi i tyre të jetë pjesë e një Evrope demokratike dhe liberale. Por unë kurrë nuk kam marrë një ftesë për të vizituar Beogradin për të diskutuar misionin e NATO-s në Kosovë me zyrtarët e qeverisë serbe. Unë shoh se ata preferojnë versionin e tyre të historisë”, tha Jamie Shea për GazetaBlic.

Pacolli – Qeverisë: Me injorimin e aleatëve Kosova nuk shkon askund, duhet këndellje e udhëheqësve