Sporti

Distria Krasniqi: Jam shumë e lumtur, kur je në finale dëshiron të marrësh të artën, por me rëndësi është medalja olimpike

07/28/2024 18:59
nga:E K

Distria Krasniqi ka fituar medaljen e argjendtë për Kosovën në Lojërat Olimpike Paris 2024.

Krasniqi u mposht në finale nga xhudistja nga Uzbekistani, Diyora Keldiyorova, shkruan GazetaBlic Sport.

Xhudistja kosovare ishte e pandalshme për gjatë gjithë ditës së sotme duke e fituar duelin e parë pas vetëm 37 sekondave ndaj Ina Maharani, kurse pas saj mposhti me Ippon pas vetëm një minute izraeliten, Geffen Primo.

Në gjysmëfinale, Distria mposhti italianen, Guiffrida në Golden Score pas tri penalizimeve të kundërshtares së saj.

Kjo është medalja e parë olimpike për Kosovën, teksa kujtojmë se neser luftojnë edhe Nora dhe Akil Gjakova.

Pas duelit të saj në finale ku edhe siguroi medaljen e argjendtë, Distria Krasniqi u prononcua për RTK.

Ajo u shpreh e lumtur me arritjen e saj, teksa tha se kishte vetbesim për gjatë gjithë rrugëtimit të saj.

“Jam shumë e lumtur, kur je në finale dëshiron të marrësh të artën, por me rëndësi është medalja olimpike. Kisha shumë fokus në gjysmëfinale, ndoshta e lashë pak anash finalen, por është finalja e dytë olimpike dhe po ndihem e lumtur. Shpresoj që edhe Nora do të më bashkohet mua në triumf për medalje olimpike.
Çdoherë kam vetbesim, në Lojëra Olimpike të gjithë kanë shumë stres, por kjo nuk ndodhi me mua. Kam qenë e përgatitur jam për herë të dytë këtu andaj kisha siguri“, tha ajo.

/GazetaBlic Sport/