Lajme

Diskutimi për shqiptarët e Luginës së Preshevës në dialog/ Analistët: I vonuar – shpresat te plani i ri në bisedime

06/03/2025 22:33
nga:G B

Kryenegociatori i Kosovës për dialog me Serbinë, Besnik Bislimi, e ka përmendur dje çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, në takimin me të dërguarin e BE-së për dialogun, Peter Sorensen.

Por, sot drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se ia ka bërë të qartë Bashkimit Evropian se Presheva dhe Bujanoci nuk mund të jenë temë në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Lidhur me këtë, ish kryenegociatori i dialogut, Avni Arifi, thotë se Bislimi posa të ketë legjitimitet, do t’i arrijë qëllimet e tij.

“Bravo i qoftë Bisnik Bislimit që po iu del zot shqiptarëve të Luginës. Ky emër është fjala e fundit e patriotizmit dhe çështjes shqiptare në përgjithësi. Uroj që të jetë serioz në tema dhe posa të ketë legjitimitet dhe legalitet, të arrijë qëllimet e tij madhore”, tha Arifi për Gazeta Blic.

Ndërsa, analistja Magbule Shkodra, e sheh të qëlluar por të vonuar kërkesën e Bislimit në Bruksel.

Ajo ka thënë se VV ka 4 vite në dialog dhe është dashur ta bëjë që në fillim atë, duke mbrojtur të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, që i kanë të mohuara.

“Në takimin që ka pasur ndërmjetësuesi i BE-së me Besnik Bislimin, mendoj se është e qëlluar kërkesa e Bislimit që të diskutohet për çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, por fatkeqësisht shumë e vonuar. Kjo temë është dashur të jetë në tavolinën e diskutimeve që kur kemi filluar të dialogojmë me Serbinë, për normalizim të raporteve mes Kosovës e Serbisë. Po ashtu, për VV-në që katër vite kanë shkuar në Bruksel dhe është dashur që atëherë ta ngrisin këtë temë, pasi shqiptarët në Luginën e Preshevës e kanë jetën e vështirësuar, të drejtat e mohuara dhe Kosova e Shqipëria po ashtu e kanë për detyrë që të mbrojnë kudo shqiptarët që janë nëpër shtetet e tjera”, u shpreh ajo për Gazeta Blic.

Sa i përket deklaratës së Petkoviq, ajo thotë se Serbia ka interes vetëm për Asociacionin, por që po të kishte drejtësi do të duhej të diskutohej për të drejtat e shqiptarëve të Luginës.

“Sa i përket komentit të Petkoviqit, kuptohet që interesi i tyre është vetëm për Asociacionin, mirëpo nëse ka drejtësi, duhet të ketë edhe reciprocitet dhe të diskutohen edhe të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, ashtu siç diskutohet Asociacioni për t’u siguruar të drejta më të mëdha serbëve në pjesën veriore. Kështu që, mendoj që është mirë që kjo temë është ngritur, edhe pse vonë për z.Bislimi sepse ai ka qenë në këto negociata prej 4 vitesh por mirë që e ka ngritur”, ka vlerësuar Shkodra.

Ajo ka përmendur deklaratën e Kallas për një plan të ri për dialogun.

“Të shohim se si do të ecën. Kaja Kallas ka thënë se ka një plan të ri për dialogun por ende nuk e kemi parë qartësisht se cila është rruga në të cilën do të zhvillohet dialogu tutje, edhe pse unë gjithmonë kam menduar se dialogu tanimë do të duhej të ishte një gjë e kaluar por Serbia duhet të ulet në tavolinë dhe të pranojë zyrtarisht shtetin e Kosovës e pastaj të flasim për implementim të marrëveshjeve dhe çdo gjë që mund të vie sepse pa ndodhur kjo, ne deri më tani kemi një situatë ku kemi përfunduar duke bërë një marrëveshje të ndryshme dhe Serbia nuk i ka respektuar ato, edhe nga ana jonë ka marrëveshje që nuk janë respektuar, por megjithatë është Serbia ajo që në vazhdimësi është treguar jo kooperuese dhe më mirë të them penguese. Shpresoj që zonja Kallas t’i japë një drejtim të ri zgjidhjes së normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe me këtë nënkuptoj njohjen zyrtare nga Serbia”, ka deklaruar Magbule Shkodra./Gazeta Blic/