Çështja e dinarit është diskutuar dje në Bruksel, në takimin në nivel të kryenegociatorëve Bislimi e Petkoviq, me ndërmjetësin Lajçak.
Bisedimet mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë përfunduan me zotimet e palëve që deri më 22 mars, t’i dorëzojnë propozimet e tyre për zgjidhjen e çështjes së përdorimit të dinarit serb në Kosovë.
Lajçak ka thënë se të hënën do të jetë takimi i ri në mes të dy kryenegociatorëve me ndërmjetësimin e tij në Bruksel.
Por, Qeveria kishte deklaruar se nuk do ta bënte pjesë të dialogut çështjen e dinarit.
Lidhur me këtë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se nuk po diskutohet rregullorja e BQK-së por po diskutohen mënyrat për lehtësimin e qytetarëve serbë që t’i marrin paratë në dinarë e t’i konvertojnë në euro.
“Nuk është duke u diskutuar rregullorja e BQK-së. Pra këtu edhe faktori ndërkombëtar është i të njëjtit mendim. Por, ajo që po diskutohet është se si t’iu lehtësohet qytetarëve serbë të Kosovës që të ardhurat që i marrin në monedhën dinar nga Serbia, t’i konvertojnë më lehtësisht në euro përmes bankave komerciale në Kosovë”, thekson ai.
Batusha thotë se kjo për arsye se Banka Qendrore e Serbisë po refuzon të nënshkruajë marrëveshje me BQK-në.
“Kjo është shkaktuar për arsye se Banka Qendrore e Serbisë po refuzon të nënshkruajë marrëveshje me BQK-në, me arsyetime politike, gjë që nuk është e natyrshme për industrinë bankare. Mos të harrojmë që BQK i ka ofruar BQS-së marrëveshje sipas rregullave që ekzistojnë në sektorin financiar”, deklaron deputeti Agon Batusha./Gazeta Blic/