Lajme

Diskotekat në Kosovë nuk respektojnë Ditën e Zisë, me të madhe organizojnë ndeja

07/26/2021 22:26
nga:Q R

Sot në Kosovë zyrtarisht është shpallur ditë zie për nder të viktimave të aksidentit të autobusit gjatë ditës së djeshme në Kroaci, ku mbetën të vdekur 10 persona.

Megjithëse shumë aktivitete janë pezulluar ose janë shtyrë për një datë tjetër për nder të viktimave dhe familjarëve të tyre, organizimet në disa nga diskotekat e vendit nuk kanë pushuar.

Siç shihet në rrjetet sociale si Instagram, emra të njohur të estradës do të perforojmë sonte në disa nga klubet e natës në Prishtinë e Gjilan.

Në aksidentin e djeshëm të autobusit me targa kosovare i cili ishte duke transportuar mërgimtarë nga Gjermania për në Kosovë, humbën jetën 10 persona, u lënduan 45, ndërsa 15 prej tyre ishin me lëndime të rënda.

Reagimet për rastin ishin të shpejta nga autoritetet kroate, ndërsa për në vendin e ngjarjes udhëtuan edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me disa ministra të kabinetit.

26 të lënduar nga aksidenti pritet që gjatë ditës së sotme të lirohen nga spitali ku ishin duke u trajtuar në Kroaci.