Sporti

Disa raste kontestuese nga ndeshja Ulpiana – Drita, “Intelektualët” të pakënaqur me referimin

10/15/2021 22:15
nga:Mergim Rreci

Drita nuk ka arritur më shumë se një barazim nga udhëtimi në Lipjan përballë Ulpianës 1-1.

Marko Simonovski realizoi një gol të bukur me kokë për mysafirët, derisa Egzon Qerimi shënoi nga gjuajtja e lirë në mënyrë maestrale për 1-1.

Ishte një ndeshje shumë e mirë nga dy skuadrat, por që kishte disa raste kontesutese, sipas Gazetës Olle. 

Rasti i parë ishte ai i minutës së 18-të, kur Agim Zeka u fut mirë në zonë dhe tentoi pasimin tek Hamdi Namani, derisa mbrojtësi vendas luajti me dorë brenda zonës, por gjyqtari Visar Kastrati nuk akordoi penallti dhe edhe më i çuditshëm ishte fakti se VAR-i nuk sinjalizoi fare.

Futbollistët e Dritës kërkuan 11 metërsh, por gjyqtari Kastrati nuk deshi të dëgjoj për protestat e tyre dhe me apo pa dashje nuk shikoi VAR-in për rastin në fjalë.

Momenti i dytë kur gjilanasit u dëmtuan, sipas Gazetës Olle, në këtë sfidë ishte në minutat e fundit të ndeshjes.

Një harkim i mirë në zonë bëri që portieri i vendasve Armend Blakcorri të rrëzohet në zonë pa u penguar nga askush, derisa gjyqtari Kastrati çuditërisht akordoi faull në të.

Nga ky rast mbrojtësi i gjilanasve, Ilir Blakcorri shënoi gol, por ndeshja vetëm se ishte ndërprerë nga gjyqtari Kastrati që nuk lejoi përparësi të aksionit pastaj ta shikoj VAR-in.