Lajme

Disa persona dyshohen se u prezantuan rrejshëm si policë dhe u kërkuan para qytetarëve, rasti po hetohet

08/20/2025 14:14
nga:N K

Gjakovë- Policia e Kosovës (PK) njofton se persona të panjohur dyshohen se janë prezantuar rrejshëm si zyrtarë policorë duke kontaktuar qytetarë dhe kërkuar para në shumën 1 mijë euro me pretekste të ndryshme.

Policia njofton se për këtë çështje janë raportuar dy raste të ndara të martën.

“Më datë 19.08.2025, në Stacionin Policor në Gjakovë janë raportuar dy raste të ndara, ku persona të panjohur kanë kontaktuar qytetarë përmes telefonit duke u prezantuar rrejshëm si zyrtarë policorë. Në të dyja rastet, personat e dyshuar kanë kërkuar nga dy viktimat e këtyre rasteve që të paguajnë shumën prej 1000 (njëmijë) euro, me pretekste të ndryshme”, thuhet në njoftim.Bëhet e ditur se në konsultim me prokurorin e shtetit janë iniciuar rastet si “Prezantim i rrejshëm si person zyrtarë” dhe rasti po vazhdon të hetohet nga njësitë përkatëse policore.

“Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë apelon tek qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe të mos bien pre e këtyre mashtrimeve. Nëse qytetarët pranojnë telefonata të tilla apo tentativa të ngjashme, menjëherë të lajmërojnë policinë përmes numrit 192, ose të përdorin aplikacionin “Lajmëro Policinë”, thuhet në fund.