Sporti

Dion Gallapeni: Përfaqësimi i Kosovës është diçka e jashtëzakonshme, synimi ynë është kualifikimi në EURO 2028!

11/10/2026 08:59
nga:Mergim Rreci

Futbollisti i Kosovës dhe i Wisla Plock, Dion Gallapeni, në një intervistë flet për rrugëtimin e tij me fanellën e Kombëtares, debutimin, përvojën me bashkëlojtarët, eliminatoret e Botërorit dhe objektivin e madh për kualifikimin në Kampionatin Evropian 2028.

Për Dion Gallapenin, përfaqësimi i Kosovës është shumë më tepër sesa një angazhim futbollistik. Është një emocion i veçantë, një përgjegjësi dhe një krenari që, siç thotë vetë futbollisti, është e vështirë të përshkruhet me fjalë, transmeton GazetaBlic Sport.

Në prag të ndeshjeve të Kosovës në Ligën e Kombeve kundër Izraelit dhe Irlandës, Gallapeni rikthehet te momentet e para me fanellën dardane, kujton debutimin e tij dhe flet për rëndësinë që ka sot në ekipin kombëtar.

Ai nuk e harron asnjëherë debutimin, që erdhi në ndeshjen e kthimit të plejofit për inkuadrim nga Liga C në Ligën B të Ligës së Kombeve, kundër Islandës.

A e kujton debutimin tënd me Kombëtaren e Kosovës?

“Sigurisht! Luajtëm për inkuadrim nga Liga C në Ligën B të Ligës së Kombeve kundër Islandës. Në ndeshjen e parë fituam, por unë nuk luajta. Mundësinë time e mora në ndeshjen e kthimit, të cilën e zhvilluam në Spanjë. U inkuadrova për rreth dhjetë minuta në pjesën e dytë.

Ishte një nder shumë i madh për mua. Isha shumë, shumë i ri dhe luaja te Prishtina, në kampionatin e Kosovës. Ishte e vështirë, sepse në Kombëtare kishte futbollistë që aktivizoheshin në liga të forta evropiane. Por, për mua, ishte vërtet diçka e jashtëzakonshme”.

Sot je bërë një pjesë e rëndësishme e Kombëtares. Në kualifikimet për Kupën e Botës, Kosova ishte për një kohë të gjatë në garë dhe u ndal vetëm në finalen e plejofit kundër Turqisë. Si e përjetuat atë rrugëtim?

“Të luanim në finalen e plejofit ishte diçka e jashtëzakonshme për ne dhe për të gjithë vendin. Nuk arritëm të siguronim kualifikimin, por jemi një shtet i ri dhe po rritemi me çdo ndeshje që zhvillojmë.

Sigurisht, kishte zhgënjim, sepse ishte një mundësi shumë e mirë, si për futbollistët, ashtu edhe për të ardhmen e Kombëtares. Megjithatë, ne nuk ndalemi këtu. Duhet të shikojmë përpara dhe të vazhdojmë punën”.

Siç e përmende, në Kombëtaren e Kosovës ka shumë futbollistë që luajnë në kampionate të forta evropiane. Si e vlerëson pozitën tënde brenda ekipit kombëtar?

“Tani po luaj në shumë ndeshje, kështu që gjithçka është mirë. Kam një kimi shumë të mirë me djemtë. Ata janë futbollistë të shkëlqyer dhe në klubet e tyre luajnë çdo ditë përkrah lojtarëve të tjerë shumë të mirë.

Natyrisht, kjo është një përvojë shumë e mirë. Unë luaj, mundohem të tregoj se çfarë mund të bëj dhe të jap më të mirën time për Kombëtaren”.

Te Wisla Plock luan në pozitën e anësorit të krahut, përkatësisht si futbollist krahu me detyra të shumta në të dy fazat e lojës. A është e njëjta pozitë edhe te Kosova?

“Po, saktësisht njësoj. Luajmë me tre mbrojtës në pjesën e pasme dhe unë kam të njëjtën pozitë si në klub.

Kur mbrohemi, duhet të jemi pesë futbollistë në vijën e prapme, ndërsa kur sulmojmë, duhet të marr pjesë edhe unë në aksionet ofensive. Pra, duhet të punoj në të gjithë gjatësinë e fushës.

Kjo kërkon përgatitje të mirë fizike, sepse duhet të vraposh shumë. Por, nëse e dëshiron këtë rol dhe e dashuron futbollin, atëherë nuk është aspak problem”.

Deri më tani ke regjistruar 17 paraqitje me fanellën e Kosovës. Çfarë përfaqëson për ty Kombëtarja?

“Diçka të jashtëzakonshme. Madje, nuk kam fjalë për ta përshkruar. Kur i sheh tifozët, energjinë dhe dashurinë që ta përcjellin, e kupton se është diçka krejtësisht tjetër.

Është një ndjenjë e veçantë që nuk mund ta krahasosh me asgjë tjetër”.

A flasin mediat dhe qytetarët në Kosovë për një sukses historik të Kombëtares, që padyshim do të ishte kualifikimi në Kampionatin Evropian 2028?

“Po, ky është synimi ynë. Jemi të përqendruar që të kualifikohemi në këtë turne. Nuk arritëm të shkonim në Kampionatin Botëror, por, pavarësisht zhgënjimit, ishim të kënaqur me mënyrën se si luftuam dhe me atë që dhamë në fushë.

Tani objektivi ynë është Kampionati Evropian. Po, edhe mediat flasin shumë për këtë. Sa herë që vjen koha e ndeshjeve të Kombëtareve, kjo është një prej temave kryesore në vend”.

/GazetaBlic Sport/