Sporti

Dion Gallapeni: Kosova është një obligim shpirtëror, duam ta jetësojmë ëndrrën e kualifikimit në Botëror

10/15/2025 09:42
nga:Mergim Rreci

Dion Gallapeni ishte njëri nga futbollistët më të dalluar në dy ndeshjet e tetorit tek Kombëtarja e Kosovës.

Mbrojtësi kosovar zhvilloi një ndeshje të jashtëzakonshme ndaj Suedisë, duke treguar qetësi, siguri dhe pjekuri në çdo ndërhyrje, shkruan GazetaBlic Sport.

Gallapeni ishte një mur i vërtetë në prapavijë, i pathyeshëm në duele, i saktë në vendosje dhe i përqendruar deri në detaj, madje një ndihmë e madhe edhe për repartin ofanziv.

Performanca e tij solli stabilitet në mbrojtjen e “Dardanëve” dhe i dha skuadrës besimin e nevojshëm për t’u përballur me një kundërshtar të nivelit të lartë si Suedia.

Në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport‘, Gallapeni tha se duke u bazuar tek forca e Suedisë, e kishin të qartë se do ta kenë të vështirë ndeshjen në transfertë.

Megjithatë, sipas tij, këto tre pikë të siguruara e dëshmuan se grupi është më i rëndësishëm sesa individët dhe se dhanë sinjal që asgjë nuk është e pamundur për Kampionatin Botëror.

Nëse them se kemi pritur tre pikë kundër Suedisë si mysafirë, nuk do të isha real duke parë se çfarë lojtarë ka Suedia në futbollin evropian. Këto tre pikë e them pa modesti se dëshmuan që grupi është më i rëndësishëm se sa individët në një ekip. Grupi që kemi ne është i jashtëzakonshem me lojtarë shumë cilësorë e të motivuar maksimalisht për suksese. Këto tre pikë besoj që na kanë dhënë sinjalin që asgjë nuk është e pamundur dhe ëndrra për në Botëror mund të jetësohet, nëse jemi të bashkuar dhe luftojmë për të bërë krenar të gjithë popullin e Kosovës”.

“Ndihem shumë mirë dhe jashtëzakonisht i lumtur për këtë fitore. Të them të drejtën, në ndeshjen e parë kundër Suedisë pata emocione, pasi po përballeshim me lojtarë që janë ndër më të mirët në futbollin evropian. Por, kur në ‘Fadil Vokrri’ pamë se mund t’ia dilnim ndaj tyre, gjithçka ndryshoi. Ndeshja e djeshme u zhvillua pa emocione apo frikë, por me besim dhe motivim si asnjëherë më parë. Ata mund të kenë individët, por tek ne mbizotëron grupi“, tha fillimisht ai.

Tutje, ai tha se është krenari që të luajë me fanellën e Kosovës, gjithashtu falënderoi përzemërsisht tifozët, për mbështetjen e tyre të madhe.

Për mua, është me të vërtetë një krenari të mbajë fanellën e Kosovës, të përfaqësoj vendin tim dhe të jem pjesë e këtyre sukseseve. Jam shumë i lumtur, fillimisht për besimin dhe mundësinë që më është dhënë, dhe besoj se e kam arsyetuar besimin e trajnerit në këto katër ndeshje të deritanishme. Shpresoj dhe besoj që do të kem vazhdimësi.

Jemi me fat që kemi një tifozëri të jashtëzakonshme, e cila na mbështet kudo që luajmë. Kjo u dëshmua edhe në ndeshjen e fundit, me praninë e madhe të tyre. Prezenca e tyre është motivimi më i madh për ne lojtarët, pasi nuk përfaqësojmë vetëm veten, por edhe zemrat e tyre. I falënderoj për mbështetjen dhe besimin që kanë te ne dhe besoj se do t’i arrijmë sukseset që ata presin prej nesh.

Forca Kosova, forca Dardanët dhe forca të gjithë shqiptarët që na mbështesin anembanë botës! Kosova është një obligim shpirtëror, dhe ne po e përfaqësojmë atë denjësisht”, përfundoi Gallapeni.

/GazetaBlic Sport/