Skuadra e Dinamos nga Ferizaji është ‘befasia’ më e mirë e këtij sezoni deri më tani në futbollin vendor.
Dinamo nga Ferizaj garon në Ligën e Parë të Superligës dhe pas shtatë xhirove janë në vendin e parë me 19 pikë të grumbulluara.
Sot, Dinamo fitoi ballafaqimin ndaj rivalit direkt, Trepçës 89′ me rezultatin minimal 1:0.
Sulmuesi i ekipit nga Ferizaj, Dren Gashi është shprehur tejet i lumtur me këtë fitore, teksa tha se kanë bërë një start perfekt në këtë edicion.
“Ndihem mjaft mirë sepse ishte fitore shumë e rëndësishme duke marrë parasysh se kishim kundërshtarin direkt duke na ndjekur mbrapa dhe të ikesh me kaq pikë në fillim të sezonit tregon shumë për neve si klub, mendoj se të gjithë kemi treguar karakter dhe se për neve çdo pikë është shumë e vlefshme deri në arritje të qëllimit tonë”, tha fillimisht Dren Gashi për ‘GazetaBlic Sport’.
Gashi thotë se ecuria pozitive e klubit nuk është rastësi, teksa potencon se klubi është shumë i organizuar dhe të gjithë janë të uritur për sukses.
“Kemi 6 fitore radhazi. Klubi që nga fillimi ka treguar që është shumë i organizuar dhe me staf që është i uritur për sukses, kjo ka qenë arsyeja kryesore për mua që t’i bashkohem Dinamos dhe mendoj që do kemi vazhdimësi të mirë”, përfundoi ai.
Në fund, Gashi tha se synimi kryesor është inkuadrimi në Superligë, gjë që ai mendon se do ia arrijnë në fund.
“Dinamo do ta thyejë tabunë, pasi gjithçka është e mundur, me organizim të jashtëzakonshëm dhe me këtë grup që kemi sëbashku do ia arrijmë qëllimin e vetëm që kemi Superligën”, përfundoi Gashi.
/GazetaBlic Sport


