Sporti

Dinamo fiton barazhin ndaj Lirisë, siguron përballjen direkte për Superligën

05/29/2026 17:58
nga:Mergim Rreci

Skuadra e Dinamos ka regjistruar një fitore shumë të rëndësishme në ndeshjen e barazhit të Ligës së Parë, duke mposhtur Lirinë me rezultat 2:0 dhe duke mbajtur gjallë ëndrrën për inkuadrim në elitën e futbollit kosovar.

Dinamo zhvilloi një paraqitje të disiplinuar dhe efikase, duke arritur të kontrollojë ndeshjen në momentet vendimtare. Fillimisht ishte Dede ai që zhbllokoi rezultatin, duke i dhënë avantazhin skuadrës së tij, shkruan GazetaBlic Sport.

Kur pritej reagimi i Lirisë, Dinamo goditi sërish. Në minutat e fundit të takimit, Shaljani realizoi golin e dytë, duke vulosur fitoren 2:0 dhe kualifikimin e skuadrës për fazën e ardhshme të barazhit.

Me këtë triumf, Dinamo fiton të drejtën të përballet me skuadrën që do ta mbyllë sezonin në pozitën e tetë të Superligës së Kosovës, në një duel vendimtar që do të përcaktojë skuadrën e fundit pjesëmarrëse në elitën e futbollit kosovar për edicionin e ardhshëm.

/GazetaBlic Sport/