Kaja Kallas pritet ta zëvendësojë Josep Borrellin si përfaqësuese e lartë e Bashkimit Evropia, por çfarë do t’i sjellë dialogut Kosovë-Serbi?
Në lidhje me këtë çështje, deputeti i VV’së Agon Batusha thotë se dialogu duhet të kthehet në normalitet, duke dënuar aktin terrorist në Banjskë.
Batusha tutje, shtoi se autoret e këtij akti të dorëzohen para drejtësisë sontë, teksa shton se masat janë të padrejta dhe duhet të hiqen.
“Besoj që dialogu duhet të kthehet në balancin normal, duke dënuar aktin terrorist të Banjskës dhe duke kërkuar që autorët të dorëzohen para drejtësisë sontë. Për më shumë, duhet të hiqen edhe masat e padrejta dhe të ketë dinamikë të qartë e të re në dialog”, tha Batusha për GazetaBlic.
Kujtojmë se, kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, dha dorëheqje para pak dite nga kjo pozitë, për t’u bërë shefe e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian në fund të vitit.
Kallas, kryeministrja e parë grua e Estonisë, i dorëzoi dorëheqjen zyrtare presidentit Alar Karis, gjatë një takimi në Pallatin Presidencial në Talin, të hënën.
Duke folur për kohën e Kallasit si kryeministre, për plot tre vjet e gjysmë, Karis tha se “ishte një kohë me plot kriza, si: koronavirusi, recesioni ekonomik dhe lufta në Evropë, kur Rusia shkatërroi tablonë e mëparshme të sigurisë me agresionin e saj në Ukrainë”.
Dorëheqja e Kallasit shkaktoi automatikisht dorëheqjen e kabinetit të saj tripartiak.
Në pozitën e lartë në BE, Kallas do të pasojë shefin e deritashëm të politikës së jashtme, Josep Borrell.
Një prej detyrave të saj pritet të jetë edhe ndërmjetësimi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Në të kaluarën, Kallas është shprehur pro integrimit evropian të Kosovës dhe ka theksuar, po ashtu, nevojën e përmirësimit të marrëdhënieve me Serbinë, duke thënë se një Ballkan Perëndimor i sigurt “është në interesin e gjithë Evropës”.