Lista Serbe ka bërë të ditur të dielën se nuk do të marrë pjesë në procesin e votimit për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit, që do të mbahet më 21 prill. Lidhur me këtë vendim të kësaj partie, ka reaguar Radomir Dimiq, kryetar i Perspektivës Multietnike Evropiane e Kosovës, i cili e ka konsideruar si të papranueshëm dhe shumë të dëmshëm.
“Si kryetar i Perspektivës Multietnike Evropiane të Kosovës e konsideroj të papranueshëm dhe shumë të dëmshëm vendimin e LS-së për të bojkotuar votimin për shkarkimin e kryetarëve të komunave të nacionalitetit shqiptar në veri të Kosovës për shkak të rrethanave të krijuara, të cilës i referohet kjo parti”, ka deklaruar Dimiq, derisa shtoi se LS nuk bën gjë pa udhëzime nga Beogradi zyrtar.
“Përndryshe qeveria e koalicionit partnere e Kosovës, asgjë nuk më habit. Është e qartë se nuk bën asgjë e vetme, pa udhëzime nga Beogradi zyrtar”, ka shkruar tutje, Dimiq.
“Për mua, e gjithë kjo duket si një treg i egër politik ku shitet sovraniteti dhe zëri i qytetarëve që i kanë votuar. Është një paradoks i pashpjegueshëm që e njëjta LS organizon peticion për qytetarët për shkarkimin e atyre kryetarëve të komunave, që më vonë ata të bojkotojnë votimin, që KQZ e kishte caktuar për 21 prill të këtij viti. Asgjë e çuditshme, kur dihet se LS zbaton vetëm atë që i thuhet nga lart. si p.sh., sipas të njëjtës direktivë urdhëruan të gjithë serbët të largohen nga Kosova. E njëjta gjë po ndodh edhe me regjistrimin e Kosovës, gjegjësisht thirrjen për bojkot. Është një politikë e papërgjegjshme, joserioze, e drejtuar kundër politikës së qeverisë së Kosovës. Megjithatë arsyeja e këtij bojkoti për të votuar shkarkimin e kryetarëve të komunave veriore, kinse për përfshirjen e Kurtit në këtë proces votimi, është thjesht e pabazuar dhe mjaft banale”, tha Dimiq,
Për Dimiqin, bojkoti nuk është nga shkaku i rritjes së numrit të shqiptarëve, siç pretendon LS, për 433 për qind, por, siç thotë ai, qëllimi i bojkotit është diçka tjetër.
“Të thellohet kriza politike në veri të Kosovës dhe kjo më së shumti ndodh për shkak të pranimit të mundshëm të Kosovës në Këshillin e Evropës”, vlerëson Dimiq.
Ai me këtë rast vë në pah vendimin e Aleksandër Vuçiqit për formimin e ekipit për pengimin e anëtarësimit të Kosovës në KiE.
“Vendimi i Aleksandër Vuçiqit, që ditë më parë formoi ekipin e tij për të penguar anëtarësimin e Kosovës në këtë institucion evropian, nga frika se e gjithë kjo më vonë mund të nënkuptojë një padi të Kurtit kundër Serbisë për gjenocid gjatë kohës së luftës dhe kërkimin e dëmshpërblimev. Të paktën kështu po spekulohet në Beogradin zyrtar, ndërkohë që dialogu mes këtyre dy palëve dhe normalizimi i marrëdhënieve po ngec”, ka theksuar Dimiq.
Ai tutje, vë në dukje se emisarët evropianë kanë një përgjegjësi të madhe dhe aspak të lehtë për të bindur Kurtin dhe Vuçiqin që të bëjnë kompromis dhe të zbatojnë Marrëveshjen e Brukselit, të cilën BE-ja po e kërkon./RTK