Shkruan: Jusuf Thaçi
Derisa të tjerët ta përfundojnë “debatin” (debat i thënçin) se a duhet të lejohet apo jo shamia për nxënëset e shkollave publike në Kosovë dhe derisa kjo çështje të zgjidhet përfundimisht me legjislacion, unë e kam një porosi për vajzat (por edhe për prindërit e tyre) që ballafaqohen me dilemën për të zgjedhur mes shkollimit ose shamisë.
Porosia ime është e thjeshtë: Mos e lini shkollimin për shkak të shamisë!
Kushdo që është kundër kësaj porosie, le ta merr shembullin e të Dërguarit të Zotit, Profetit Muhamed (paqe i çoj me zemër, jo me kompjuter).
Kujtoni marrëveshjen e Hudejbisë mes Profetit dhe kurejshëve të Mekës (nëse nuk e dini ose e keni harruar, lexojeni ose rilexojeni). Profeti nënshkroi marrëveshje me idhujtarët e politeistët. Nënshkroi marrëveshje me njerëzit që i kishin vrarë, i kishin torturuar, i kishin dëbuar e nuk po i lejonin myslimanët të ktheheshin në shtëpitë e tyre në Mekë. Jo vetëm kaq! Profeti propozoi që në tekstin e kësaj marrëveshjeje të shkruhej “Allahu i Gjithëmëshirshëm, Mëshirëplotë” dhe “Muhamedi, i Dërguar i Allahut”, por pala kurejshite nuk u pajtua me këto, sepse nuk e pranonte as Allahun si Zot e as Muhamedin si të Dërguar të Allahut.
Por, me qëllim që të arrihej nënshkrimi i marrëveshjes që siguronte paqe dhe disa të drejta për myslimanët, me urtësinë dhe mirësinë e tij, Profeti hoqi dorë dhe u pajtua me palën kurejshite që ato pjesë të tekstit të hiqen nga dokumenti i marrëveshjes dhe të ndryshohen e të shkruhen në përputhje me kërkesën e kurejshëve dhe traditën arabe para-islame. Si rezultat i kësaj, marrëveshja mes Profetit dhe kurejshëve të Mekës u arrit dhe u nënshkrua.
Me këtë veprim Profeti as nuk hoqi dorë nga Zoti e as nuk hoqi dorë nga fakti se ai ishte Profet i Zotit. Thjesht na ofroi një shembull model për të na treguar që të tjerët kanë të drejtë të mos pajtohen me ne, kanë të drejtë të mos e pranojnë atë që besojmë ne e atë çka jemi ne, kanë të drejtë të mbajnë besimin e tyre e të mos bëhen si ne. Gjithë çfarë mund e duhet të kërkojmë prej tyre, me urtësi e mirësi, janë paqja dhe realizimi i të drejtave tona.
Andaj, nëse e marrim për bazë këtë shembull/mësim nga Profeti dhe e zabtojmë atë në situatën për të cilën po flasim, atëherë zgjidhja e dilemës së këtyre vajzave në Kosovë që janë të detyruara të zgjedhin mes shkollimit ose shamisë, është e qartë: ato duhet të vazhdojnë shkollimin edhe nëse detyrohen të heqin dorë nga shamia, sepse shkollimi është shumë më i rëndësishëm se shamia.
Jusuf Thaçi
Prishtinë, më
12 gusht 2022
P.S.:
1. Sigurisht që jam kundër ndalesës së shamisë për personat që e vendosin atë me vullnet të lirë dhe me vetëdije të plotë (por vullneti i lirë dhe vetëdija e plotë ha shumë debat, si dhe debat të nivelit tjetër, jo fushata, sipërfaqësizëm, militantizëm, fanatizëm, absolutizëm, mercenarizëm e komplekse që po i shohim nga të dy palët e barrikaduara). Mirëpo, derisa kjo çështje të zgjidhet ligjërisht e institucionalisht, vajzat nuk bën ta sakrifikojnë shkollimin (marrjen e dijes) për shkak të shamisë.
2. Nëse ka persona që i thonë vetes mysliman dhe kur e vendosin në peshore shkollimin (marrjen e dijes) në njërën anë dhe shaminë në anën tjetër, dhe në këtë rast nuk ju peshon shumë më rëndë shkollimi se shamia, atëherë të tillët nuk e dinë as abc-në e Islamit dhe nuk kanë haber për vlerën e rëndësinë e jashtëzakonshme që Islami i jep dijes/shkollimit.
3. Për ata fetarë që po më pyesin e po më shkruajnë se pse nuk po përfshihem në të ashtu-quajturin debat për (mos)lejimin e shamisë në shkolla publike të Kosovës, e kam një përgjigje: po i përmbahem sugjerimit të Profetit, i cili ka thënë: “Ndoshta pasuria me e mire e myslimanit do të jetë bagëtia (kopeja), me të cilën ai do të shkojë nëpër majet e maleve dhe vendet ku mblidhet uji (lugjet), duke ikur me fenë e tij nga ngatërresat” (Sahihul-Buhari, 19). Sepse ngatërrestarë jeni bërë pothuajse të gjithë.