Fshati Banjskë vazhdon të mbetet i bllokuar dhe askush nuk mund të largohet e as të hyjnë aty, ndërsa banorët e Mitrovicës së Veriut e konsiderojnë turp atë që dita e djeshme nuk ishte shpallur ditë zie.
Forca të shumta të Policisë së Kosovës janë ende të pranishme në Banjskë dhe banorët nuk mund të dalin nga shtëpitë e tyre, thotë për mediet serbe Dejan Nedeljkoviq, banor i Mitrovicës së Veriut, prindërit e të cilit jetojnë në këtë fshat.
“Ata [prindërit] i kanë të gjitha gjërat elementare, Policia e Kosovës u solli ilaçe, ushqime e pije duke iu thënë se kjo mund të zgjasë një orë ose disa ditë dhe se ata duhet të jenë të durueshëm”, shkruan Nedeljkoviq.
Sipas njohurive të tij, një numër i madh i automjeteve të KFOR-it gjendën në hyrje të Manastirit të Banjskës.
“Miqtë e mi më thanë se forcat e KFOR-it do të kontrollojnë bodrumet e manastirit, ku murgjit ruajnë verën dhe produktet e tjera, për të parë nëse mund të gjendet ndonjë gjë që ka mbetur pas sulmit [terrorist] ndaj policisë së Kosovës”, potencon ai.
Siç shton Nedeljkoviq, të gjithë banorët e fshatit janë të frikësuar.
“Njësitet speciale të ROSU-së erdhën në dyert e të gjitha shtëpive dhe u thanë banorëve që të mos i afrohen dritareve dhe të shtrihen poshtë krevatit nëse dëgjojnë të shtëna armësh, që të mos i godasë ndonjë plumb”, shton Nedeljkoviq.


