Sporti

Dieta e çuditshme e Bale para ndeshjeve: “E provova, por nuk më funksionoi”

01/25/2024 08:17
nga:Mergim Rreci

Duke parë karrierën mbresëlënëse të Gareth Bale në klubet ku ai kaloi kohë, me theks të veçantë në kohën e tij në Tottenham apo Real Madrid dhe madje edhe me ekipin kombëtar të Uellsit, është e natyrshme që disa njerëz të pyesin se cili mund të jetë sekreti.

Jermaine Jenas, ish-shoku i skuadrës së uellsianit në Tottenham, e ka përgjigjen, por nuk mundi të ndiqte të njëjtën rrugë, përcjell GazetaBlic Sport.

Sipas Jenas, tashmë një komentues i TNT Sports,  Gareth Bale ndoqi një dietë të veçantë para çdo ndeshje: pesë copa bukë të thekur të shoqëruara nga një “mal” me fasule.

“I vetmi vakt që mbaj mend që e shikoja dhe nuk e kuptoja se si dhe pse ishte vakti i Bale. Ai hante pesë copa bukë të thekur dhe një ‘mal’ me fasule. E provova një herë dhe nuk më funksionoi”, tha Jermaine Jenas.

Dieta kurioze e Bale doli në bisedë kur Adam Summerton, gjithashtu një komentues për TNT Sports, përmendi se lojtarit të Brighton, Pascal Gross i pëlqen të hajë oriz, pulë dhe vaj ulliri dhe më pas drithëra gruri përpara se të dilte në fushë.

/GazetaBlic Sport/