Ismail Dibrani ka njoftuar se është larguar nga udhëheqja e Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Ai përmes një letre falënderuese në Facebook ka njoftuar për largimin e tij, ku ka njoftuar se do të angazhohet në një institucion tjetër pa e specifikuar atë.
Dibrani ka thënë se gjatë kësaj periudhe në krye të Shërbimit Korrektues të Kosovës janë bërë punë e reforma të mëdha.
“Gjatë kësaj periudhe, me punë të përbashkët, përkushtim dhe vizion, kemi realizuar reforma dhe rezultate të rëndësishme, të cilat kanë shënuar një etapë të re në zhvillimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës. Kemi punuar në kompletimin dhe avancimin e infrastrukturës ligjore, përmes plotësimit dhe ndryshimit të Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, Ligjin për Shërbimin Korrektues të Kosovës, si dhe hartimit dhe miratimit të afro 30 akteve të tjera nënligjore, duke krijuar një bazë më të qëndrueshme ligjore për funksionimin dhe zhvillimin e institucionit”, ka shkruar ai ndër të tjera.


