Votuesit kosovarë që jetojnë jashtë Kosovës po vazhdojnë regjistrimin për të votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit, raporton Gazeta Blic.
Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, thotë për Gazeta Blic se që nga 29 gushti kur ka nisur procesi e deri me 13 tetor, janë bërë 7227 kërkesa për regjistrim, prej të cilave 6634 janë pranuar, e të tjerat janë refuzuar.
“Është duke vazhduar periudha e aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës, e cila ka filluar më 29 gusht dhe do të përfundojë më 26 dhjetor 2024. Në bazë të të dhënave, deri më 13 tetor 2024, në orën 10:00, përmes platformës elektronike http://diapsora.kqz-ks.org janë pranuar 7,227 kërkesa për regjistrim, prej të cilave janë aprovuar 6,634, ndërsa 593 të tjera janë refuzuar. Në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk janë fotografuar duke mbajtur njëkohësisht në dorë dokumentin e identifikimit”, deklaroi Elezi për Gazeta Blic.


