Sporti

Diart Geci, sulmuesi premtues tek Drenica: Synojmë rikthimin në Superligë, i lumtur për paraqitjet e mia në edicionin vjeshtor

01/10/2024 10:42
nga:Mergim Rreci

Diart Geci ishte në mesin e futbollistëve të dalluar gjatë edicionit vjeshtor në Ligën e Parë të Kosovës.

Sulmuesi i Drenicës dhuroi paraqitje shumë të mira, duke treguar se ka një të ardhme shumë premtuese, shkruan GazetaBlic Sport.

Duke kontribuar me gola dhe asistime, Geci e ndihmoi skuadrën e tij të renditet në vendin e katërt me 20 pikë, katër më pak se vendi i dytë, i cili dërgon në barazh.

Përveç tipareve të mira sulmuese, ai e ndihmoi skuadrën edhe në aspektin organizativ të lojës dhe tashmë është shumë i përgatitur edhe për edicionin pranveror.

Jam i lumtur për angazhimin dhe rezultatet që i kemi arritur së bashku me skuadrën. Kam dhënë vazhdimisht maksimumin tim dhe jam i lumtur që niveli po shkon vazhdimisht duke u përmirësuar“, tha fillimisht ai për ‘GazetaBlic Sport’.

Tutje, ai u deklarua edhe në lidhje me përgatitjet për edicionin pranveror dhe për objektivat e përbashkëta me klubin.

Kemi filluar përgatitjet për edicionin pranveror dhe klubi po punon që të krijojmë një skuadër të konsoliduar. Fizikisht jam në formë shumë të mirë, por që kam kohë të mjafuteshme për të shtuar edhe më shumë nivelin e përgatitjes. Synimi ynë kryesor si skuadër është rikthimi në Superligë, kurse synimi individual është të punojë shumë dhe pse jo të arrijë suksese më të mëdha në karrierë”, përfundoi Geci.

/GazetaBlic Sport/