Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi nuk ka qenë kurrë më mirë se tani, raporton Gazeta Blic.
Ai tha se për këtë nuk duhet brengosur e të gjithë mund të flenë të qetë.
Lidhur me këtë, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula, thotë për Gazeta Blic se politikanët që bëjnë deklarata të tilla, nuk kanë arritur që t’i njohin e kuptojnë të gjitha pjesët e Kosovës.
“Kushdo që bën metafora politike se kush duhet të bëjë gjumin qetë, duhet ripërsëritur se qytetarët në veriun e vendit nuk e bëjnë aq qetë sa pjesa tjetër e qytetarëve në pjesët tjera të Kosovës për sa i takon çështjes së sigurisë dhe asaj ekonomiko-sociale, e kjo është brengë; mbase të tillët politikanë, nuk kanë arritur ta njohin e kuptojnë gjitha pjesët e Kosovës”, thotë ai.
Sa i përket dialogut, Pula vlerëson se ajo shihet në veprimet dhe jo deklarimet dhe se deri tani po trajtohen vetëm temat e njëjta që janë trajtuar më parë.

“Ndërkaq, se sa mirë qëndron Kosova në procesin e dialogut me Serbinë, nuk vlerësohet nga aspekti deklarativ sepse për të konstatuar nëse jemi mirë apo jo, duhet vlerësuar e konkluduar veprimet e jo deklarimet. E nga çfarë kemi parë deri më tani, lidhur me dialogun, po shohim që akoma po trajtohen po të njëjtat tema të trajtuara më parë”, thekson njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare për Gazeta Blic.
Ai shton se çdo ditë përgjatë dialogut mbetet brengë, sidomos që bëhet fjalë për Serbinë qëllimet e të cilës dihen. Andaj, sipas tij, dialogu nuk garanton qetësi.
“Nuk është edhe aq e pazakonshme të thuhet se pas çdo ftese për takime dialogu, me palën serbe, ka vetëm respektim të ftesave dhe procedurave protokolare deri më tani, por, përmbajtësisht nuk ka të arritura madhore sa të mos brengosemi se si dhe në çfarë rrjedhe e kemi procesin e dialogut. Andaj dhe, interesimit qytetar, por edhe njohësve të temave dhe procesit të dialogut nuk mund askush e në asnjë rrethanë, t’u shes diçka që nuk është për blerje! Çdo ditë dhe përgjatë procesit dialogues vazhdon të mbetet brengë deri në arritjen e epilogut të pritur. Përtej kësaj, duke i njohur qëllimet historike të fqinjit verior, çdo herë e në çdo kohë, qetësia jonë do jetë e trazuar. Kështu që, dialogu nuk përmbledhë gjithë brengat e qytetarëve të Republikës dhe as nuk garanton qetësinë”, deklaron Shqiprim Pula./Gazeta Blic/


