Lajme

Dialogu me Serbinë në Bruksel, Bislimi jep detajet e takimeve dhe për progresin në temat e diskutuara

11/19/2021 17:38
nga:M K

Zëvendëskryeministër i Kosovës Besnik Bislimi ka folur për bisedimet e fundit ndërmjet Kosovës e Serbisë të zhvilluara në Bruksel.

Bislimi ka treguar detaje se pse nuk është mbajtur takimi trepalësh mes kryenegociatorëve dhe lehtësuesit të BE-së, si dhe a ka kushtëzime nga pala serbe për t’u ulur në tavolinën biseduese.

Bislimi në këtë intervistë ka treguar edhe për bisedimet që po ndodhin për një marrëveshje për targat, personat e zhdukur, energjinë eklektike në veri të vendit, asociacionin dhe marrëveshjen finale me Serbinë.

“Në fakt kanë qenë një seri takimesh me datë 16, 17, 18 ku janë diskutuar tema të caktuara që tash duken më aktuale. Kemi diskutuar edhe për një temë të rëndësishme siç është ajo e energjisë. Kemi diskutuar edhe për të pagjeturit, personat e zhvendosur me dhunë, marrëveshjen për përfaqësimin regjional të Evropës” ka deklaruar Bislimi në një intervistë për Telegrafin.

Sipas tij Kosova ka kërkuar edhe qartësime për problemet që po i bën Serbia në lëvizjen e lirë të qytetarëve të vendit.

“Rasti i ekipit të boksit që nuk është lejuar të shkojnë në gara në Beograd, kemi diskutuar për barrikadat që po i vendos Serbia për transferimin e mjeteve buxhetore për komunat me shumicë shqiptare në Serbi, siç është rasti me shumën prej 100 mijë eurove që ka ndarë Qeveria e Kosovës për mbulimin e dëmeve nga vërshimet në Preshevë. Kemi diskutuar po ashtu për ecjen përpara për çështjen e targave, kryesisht çështje të cilat janë imponuar në zhvillimet aktuale”, theksoi zëvendëskryeministri Bislimi.

Ai ka theksuar se mungesa e takimeve trepalëshe e zbeh suksesin e negociatave, por vlerëson se ka pasur progres në takimet që janë bërë gjatë tri ditëve në Bruksel.

“Mungesa e takimeve trepalëshe e zbeh pak suksesin e negociatave, sepse aty është shumë më lehtë të konkretizohet diçka për hapat e mëtejmë. Megjithatë në të gjitha temat mendoj që ka progres”, tha kryenegociatori Bislimi.

Tutje, ai shtoi se sa i përket temës së energjisë janë në rrugë të mirë që më në fund edhe konsumin e energjisë në veri të vendit siç tha ai “do ta vendosim në binarët e sistemit tonë energjetik në tërësi”.

“Jemi dakorduar me BE-në që t’ju dorëzojmë atyre një plan konkret me hapat që duhet të ndërmarrim në tre muajt e ardhshëm, kemi bërë këtë që ditën e nesërme. Kemi dorëzuar z. Lajçak një propozim të masave konkrete që nënkuptojmë edhe veprimet që duhet të ndërmarrin nga vet Bashkimi Evropian për akomodimin e pikës 13 që nënkupton obligimet e BE-së dhe mendoj që ky propozim është pritur jashtëzakonisht mirë nga zyra e tij”, tha Bislimi.