Psikologia, Behare Bojaxhiu, në një intervistë për GazetaBlic, ka folur rreth rastit të fundit të dhunimit të 13 vjeçares.
Bojaxhiu thotë se parandalimi i një fenomeni të tillë fillon nga edukata në familje dhe shoqëria rreth respektimit të të drejtave të grave dhe vajzave.
“Parandalimi i fenomenit të dhunimit të vajzave të mitura fillon, me edukim të ndërgjegjshëm në familje dhe shoqëri rreth respektimit të të drejtave të grave dhe vajzave, ndërgjegjësimi i prindërve dhe autoriteteve për të vënë në dukje dhe ndëshkuar sjelljet e dhunshme, ofrimi i mbështetjes për vajzat që janë në rrezik”, tha ajo për Gazeta Blic.
Bojaxhiu ka folur se si ndikojnë në gjendjen psikike rastet e tilla.
Sipas saj viktimat mund të kenë ankth, depresion, mosbesim në vetvete si dhe mund të ndikojë në zhvillimin e personalitetit.
“Gjendja psiqike e viktimave të dhunes, në këtë rast vajzave të mitura mund të përfshijë ankth, depresion, ndjenja të inferioritetit, mosbesim në vetvete, si dhe shpeshherë mund të ndikojë në zhvillimin e personalitetit”, u shpreh Bojaxhiu.
Krahas kësaj psikologia thotë se personat që kryejnë veprime të tilla të dhunës, mund të kenë probleme me kontrollin e impulsit, vlerat e tyre të deformuara në lidhje me raportet gjinore.
“Persona që kryejnë veprime të tilla të dhunës mund të kenë problem me kontrollin e impulsit, vlerat e tyre të deformuara në lidhje me raportet gjinore, problemet me dhënien dhe marrjen e autoritetit, dhe në disa raste, ndoshta kanë përjetuar vetë dhunë në fëmijëri ose kanë pasur modele të tilla në familjen e tyre”, tha ajo.
“Është e rëndësishme që të gjithë të angazhohen për të parandaluar këtë fenomen dhe për të ofruar mbështetje dhe drejtësi për viktimat” tha ajo për “Gazeta Blic”.