Policia holandeze ka raportuar këtë të enjte, se është përballur me një nivel dhune të paprecedentë gjatë festimeve të natës së Vitit të Ri. Oficerët u sulmuan me fishekzjarre dhe eksplozivë, ndërsa raportet për sulme ndaj policisë dhe zjarrfikësve u përhapën në mbarë vendin.
Siç raporton BBC, në Amsterdam, kisha e shekullit XIX Vondelkerk, e ndërtuar në vitin 1872 dhe e vendosur pranë parkut më të madh të qytetit, Vondelpark, u përfshi nga flakët në orët e para të ditës së Vitit të Ri. Kulla 50 metra e lartë e saj u shemb, ndërsa çatia u dëmtua rëndë. Autoritetet thanë se struktura pritet të mbetet e qëndrueshme.
Mediat lokale raportuan se një djalë 17-vjeçar nga Nijmegen dhe një burrë 38-vjeçar nga Aalsmeer humbën jetën nga incidentet me fishekzjarre. Në Rotterdam, spitali i syrit trajtoi 14 pacientë, përfshirë 10 të mitur, për lëndime të rënda në sy. Dy prej tyre iu nënshtruan operacionit.
Ngjarje tragjike u shënuan edhe në Gjermani, ku policia e Bielefeld raportoi se dy 18-vjeçarë humbën jetën pasi ndezën fishekzjarre të prodhuara në shtëpi.
Në qytetin jugor Breda, policia u sulmua me bomba benzine. Kryetarja e Unionit të Policisë, Nine Kooiman, tha se gjatë shërbimit të saj në Amsterdam u godit me fishekzjarre dhe eksplozivë. “Sasia e dhunës ishte e paprecedentë,” deklaroi ajo.
Sipas Shoqatës së Piroteknikës Holandeze, këtë vit u shpenzuan 129 milionë euro për fishekzjarrë, një rekord i ri. Autoritetet kanë njoftuar se ndalimi i fishekzjarreve jozyrtare do të hyjë në fuqi në vitin 2026.
/tvklan.al


