Sporti

Dhuna në stadiume, qeveria franceze vjen me një vendim të prerë

12/16/2021 16:08
nga:Lorik J

Këtë të enjte, qeveria franceze miratoi disa masa sigurie që do të zbatohen në ndeshjet e futbollit të ligave profesionale, pas disa incidenteve të shkaktuara nga hedhja e sendeve në fushë.

Ndeshjet ndërpriten menjëherë, nëse ndonjë lojtar apo arbitër goditet nga sendet e hedhura nga tribuna, bëri të ditur Qeveria franceze, përmes një deklarate të përbashkët të ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë, përcjell GazetaBlic Sport.

Vendimi, i cili është pjesë e një liste me disa masa për të përmirësuar sigurinë në ndeshjet e futbollit, tashmë ka marrë lëvdata nga Vincent Labrune, president i Ligës Profesionale të Futbollit, i cili prej kohësh pret një përgjigje të prerë nga ekzekutivi.

“Ne mund të jemi të kënaqur vetëm me këto vendime, pasi qëllimi ynë është t’i japim fund dhunës në stadiume,” i tha ai gazetës Le Figaro, duke theksuar se qëllimi do të arrihet vetëm nëse të gjitha palët – duke filluar nga klubet – i zbatojnë ato me forcë, shpejtësi dhe bindje.

/GazetaBlic Sport