Lajme

Dhuna në familje vazhdon të dominojë raportin ditor të Policisë

02/11/2026 09:23
nga:Genita C

Raporti i fundit 24-orësh i Policisë së Kosovës nxjerr në pah një situatë shqetësuese sa i përket rasteve të dhunës në familje dhe kanosjes në disa komuna të vendit. Brenda një dite janë arrestuar 45 persona, ndërsa 25 prej tyre janë dërguar në mbajtje, çka tregon se disa prej tyre i përkasin këtij fenomeni.

Sipas njoftimeve zyrtare, rastet e raportuara përfshijnë dhunë fizike, psikike dhe kanosje, ku në shumicën e rasteve viktima janë gra.

Në Prishtinë, më 9 shkurt rreth orës 12:00, është arrestuar një i dyshuar mashkull, nën dyshimin se ka kanosur një grua. Palët janë intervistuar dhe, me urdhër të prokurorit, janë liruar në procedurë të rregullt.

Një rast i ngjashëm është raportuar edhe në Podujevë, më 10 shkurt rreth orës 18:00, ku një burrë dyshohet se ka kanosur një grua pas disa mosmarrëveshjeve. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në Shtime, më 10 shkurt është raportuar një rast që kishte ndodhur më 4 shkurt, ku pas një mosmarrëveshjeje, një grua dyshohet se është kanosur nga dy burra. Të dyshuarit janë arrestuar dhe, me vendim të prokurorit, janë dërguar në mbajtje.

Ndërkaq, në Pejë, në orët e para të 10 shkurtit, janë arrestuar dy persona, një grua dhe një burrë, nën dyshimin se kanë ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj një gruaje. Pas intervistimit dhe konsultimit me prokurorin, të dy janë liruar në procedurë të rregullt.

Në Klinë, po ashtu më 10 shkurt rreth orës 02:00, një burrë dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje verbale ka ushtruar dhunë fizike ndaj një burri tjetër. Pas shoqërimit në stacion policor dhe intervistimit, me konsultim të prokurorit, palët janë liruar në procedurë të rregullt.

Një rast tjetër i dhunës në familje është raportuar në Malishevë, ku më 5 shkurt një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj një gruaje. I dyshuari ndodhet në kërkim policor, ndërsa rasti është duke u hetuar me autorizim të prokurorit.

Ndryshe, sipas të dhënat statistikore, dhuna në familje në Kosovë po shënon rritje alarmante. Nga janari deri në tetor të vitit 2025 janë raportuar mbi 2,400 raste, ku shumica dërrmuese e viktimave janë femra. Ndërkaq, gjatë periudhës 2023–2025 janë raportuar mbi 8 mijë raste të dhunës në familje.

Ndërkaq, autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo rast të dhunës.