Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK) ka shprehur shqetësimin lidhur me publikimin në faqen zyrtare të Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të dokumenteve që përmbajnë të dhëna të bizneseve dhe pronarëve të tyre, raporton Gazeta Blic.
Përmes një reagimi publik, DHTIK bëri të ditur se ka pranuar ankesa nga bizneset anëtare për lejimin e qasjes së plotë në dokumente si statuti dhe marrëveshjet e shoqërisë, të cilat përmbajnë edhe të dhëna personale të pronarëve dhe personave të autorizuar.
Sipas Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, publikimi i këtyre dokumenteve bie ndesh me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe mund të cenojë konfidencialitetin e marrëdhënieve kontraktuale dhe afariste të bizneseve.
“DHTIK ka pranuar ankesa nga bizneset anëtare lidhur me lejimin e qasjes së plotë në dokumentet si statuti dhe marrëveshjet e shoqërisë, duke përfshirë këtu edhe të dhënat personale të pronarëve dhe personave të autorizuar, të cilat janë të ndaluara me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, thuhet në reagim.
Më tej, DHTIK vlerëson se publikimi i këtyre dokumenteve me këto të dhëna mund të cenojë konfidencialitetin e marrëdhënieve kontraktuale dhe afariste.
Në fund, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin veprime urgjente për adresimin e kësaj çështjeje, si dhe të kërkojnë përgjegjësi nga personat përgjegjës.


