Angela Griep, shefe e Informimit dhe Komunikimit Publik në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), përmes platformës online “Zoom”, ka bërë të ditur se gjykatësi i procedurës paraprake ka miratuar kërkesën e prokurorisë që të riklasifikohen si publike mbi 8 mijë dokumente dhe prova materiale në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
“Në përputhje me urdhrin e Gjykatësit të Procedurës Paraprake, Prokuroria ka rishikuar klasifikimin e materialit provues dhe Gjykatësi i Procedurës Paraprake ka miratuar kërkesën e saj”, ka thënë ajo.
Në konferencën për medie të mbajtur të enjten, Griep ka dhënë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ajo ka thënë se gjatë konferencës për ecurinë në çështjen Thaçi dhe të tjerët, më 4 nëntor 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake konfirmoi se synon t’ia kalojë çështjen Trupit Gjykues deri në fund të këtij viti.
Sipas saj, ai gjithashtu ka thënë se ka të ngjarë që kjo do të jetë konferenca e fundit për ecurinë e çështjes në fazën paraprake, përveç nëse do të jetë e nevojshme.
Tutje, njoftoi se versioni i redaktuar publik i dosjes paraprake të Thaçit, që u dorëzua më 21 tetor, është tani i disponueshëm.
“Sa u përket afateve të tjera, Gjykatësi i Procedurës Paraprake urdhëroi ekipet e Mbrojtjes që të parashtrojnë kundërshtimet e tyre, nëse kanë, në lidhje me pranueshmërinë e materialit provues deri më 18 nëntor. Afati që i është caktuar Prokurorisë për dorëzimin e një liste të përkohshme të 40 dëshmitarëve të parë që ajo synon të thërrasë gjatë gjykimit është gjithashtu 18 nëntori”, tha tutje Griep.
Sa i përket çështjes së Pjetër Shalës, ajo bëri të ditur se mbrojtësi i viktimave i dorëzoi Trupit Gjykues parashtrimin në lidhje me procedurën e dëmshpërblimit në këtë çështje gjyqësore.
“Në parashtrim, mbrojtësi i viktimave kërkon që procedura lidhur me dëmshpërblimin e mundshëm të viktimave të kryhet paralelisht me procesin penal. Mbrojtësi gjithashtu parashtron se, nëse Trupi Gjykues e shpall z. Shala fajtor, gjykatësit duhet të nxjerrin vetë një urdhër për dëmshpërblimet dhe jo ta referojnë çështjen për padi civile në Kosovë”, tha ajo.
Griep ka thënë se mbrojtësi i viktimave gjithashtu i kërkoi Trupit Gjykues që në aktgjykim të përfshijë një vendim mbi shkallën dhe përmasat e dëmit, humbjes, apo lëndimeve që u janë shkaktuar viktimave, pavarësisht ndonjë urdhri të tij lidhur me dëmshpërblimet dhe pa marrë parasysh nëse trupi gjykues e shpall Shalën fajtor apo të pafajshëm.
Kurse, shtoi se Trupi Gjykues akoma nuk ka nxjerrë vendim në lidhje me këto parashtrime.
Ndërsa,, në rastin e Gucatit e Haradinaj, tha se më 3 nëntor, Paneli i Gjykatës së Apelit refuzoi kërkesat e Mbrojtjes që kërkonin nga Paneli i Apelit të rishqyrtonte vendimin e tij të mëparshëm me të cilin hodhi poshtë kërkesat e Mbrojtjes për ndryshim të njoftimeve të tyre për apel.
“Çështjet e ngritura nga Mbrojtja në kërkesat të mëparshme të saj kishin të bënin me shkeljen e pretenduar të detyrimit të nxjerrjes së materialit nga Prokuroria gjatë procesit të gjykimit. Në vendimin e tij, Paneli i Apelit i rikujtoi Mbrojtjes që, nëse një palë identifikon shkelje të mundshme të detyrimit të nxjerrjes së materialit, pretendimi për të cilën ngrihet pas përfundimit të procesit të gjykimit, ajo mund të kërkojë masë rregulluese alternative duke i dorëzuar kërkesë Panelit të Apelit”, ka thënë ajo.
Me fjalë të tjera, sipas saj, Paneli nxori përfundimin se njoftimet për apel nuk janë mënyra e duhur për kundërshtimin e një shkeljeje të pretenduar të detyrimit të nxjerrjes së materialit.
“Duke pasur parasysh se të gjitha parashtrimet para Dhomave të Specializuara janë publike, përveç nëse ka arsye të jashtëzakonshme për t’i mbajtur ato konfidenciale, Paneli i Gjykatës së Apelit urdhëroi që të dy ekipet e Mbrojtjes të dorëzojnë versionet e redaktuara publike të kërkesave të tyre brenda shtatë ditësh”, deklaroi Griep.
Tutje, tha se Paneli i Gjykatës së Apelit, gjithashtu nxori vendimin në lidhje me rendin e ditës për seancën e ardhshme të apelit, planifikuar për 1 dhe 2 dhjetor 2022.
“Seanca e 1 dhjetorit do të fillojë me deklarata hyrëse nga kryegjykatësja. Më pas, dy ekipet e Mbrojtjes mund të paraqesin argumentet e tyre para Panelit. Më 2 dhjetor, Prokuroria mund t’u përgjigjet argumenteve të ekipeve të Mbrojtjes dhe pas kësaj ekipet e Mbrojtjes gjithashtu do të kenë mundësinë t’i kundërpërgjigjen Prokurorisë. Z. Gucati dhe z. Haradinaj gjithashtu do të kenë mundësinë t’i drejtohen Panelit”, ka thënë ajo.
Në fund shtoi se seanca do të përfundojë me deklaratat përmbyllëse të kryegjykatëses dhe se seanca e Apelit mund të ndiqet nga galeria për publikun, ose me 45 minuta vonesë përmes funksionit të transmetimit në faqen e internetit të DHSK-së.
Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.


