Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, përmes platformës online “Zoom”, ka bërë të ditur se në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit deri tani janë pranuar 32 viktima pjesëmarrëse në procedurë.
Gjatë konferencës për medie të mbajtur të enjten, Doyle ka dhënë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ai tha se në këtë rast, më 30 shtator, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dorëzoi aktakuzën e ndryshuar të konfirmuar në pajtim me dy vendime të mëhershme të gjykatësit të procedurës paraprake në korrik dhe shtator.
Sipas tij, në një vendim, gjykatësi urdhëroi Prokurorin e Specializuar të shtonte emrat e kryesve të drejtpërdrejt dhe të viktimave përkatëse si dhe vendndodhjet përkatëse në disa paragrafë.
Ndërsa, shtoi se më 29 shtator gjykatësi miratoi kërkesën e prokurorisë për heqjen e pretendimeve për krimet e kryera kundër më së paku një viktime në një shtëpi në Ferizaj ose rreth Ferizajt.
“Në të njëjtën çështje, të hënën, prokuroria njoftoi gjykatësin e procedurës paraprake për përfundimin e disa hapave procedural sa i përket nxjerrjes së materialeve, nxjerrjes së këtyre materialeve pra për mbrojtjen sipas rregullës 102, pika 3. Ky ishte një nga hapat e kërkuar procedural për të cilën gjykatësi kishte caktuar afate përpara kalimit të çështjes për gjykim”, tha Doyle.
Më pas, ai sqaroi se çfarë përcaktojnë rregullat, si dhe çfarë përcakton rregulla 102 (3).
Doyle deklaroi se më 3 tetor prokuroria konfirmoi se ka përfunduar përpunimin e kërkesave të mbrojtjes lidhur me nxjerrjen e materialeve të rregullës 102 (3), dhe se ka kërkuar masa mbrojtëse aty ku ishte e përshtatshme dhe ka nxjerrë të gjitha materialet e kësaj çështje që nuk janë objekt i masave mbrojtëse.
“Po më 3 tetor, Zyra Administrative i dorëzoi gjykatësit të procedurës paraprake raportin e shtatë mbi kërkesat e viktimave për pjesëmarrje në proces. Deri tani, janë pranuar 32 viktima për pjesëmarrje në proces në këtë çështje dhe procesi vazhdon të jetë i hapur”, ka thënë ai.
Kurse, bëri të ditur se në rastin ndaj Pjetër Shalës, trupi gjykues, ka caktuar datat 18 deri 20 tetor për konferencat përgatitore për gjykim, ndërsa 21 tetorin si datë rezerve.
“Trupi gjykues ka kërkuar parashtrime me shkrim nga prokuroria, mbrojtja, mbrojtësi i viktimave dhe zyra administrative lidhur me aspekte si hetimet, nxjerrja e materialeve dhe zhvillimi i procesit gjyqësor”, bëri të ditur Doyle.
Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.


