Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, përmes informimit javor të DhSK-së për medie, të enjten, ka thënë se në gjykimin e Pjetër Shalës, paneli i Gjykatës së Apelit ka shqyrtuar aspektin e provueshmërisë së deklaratave të mëparshme të dhëna nga i akuzuari në vitin 2016 dhe 2019, si dhe dokumente tjera përkatëse.
“Paneli miratoi pjesërisht njërën prej pikave të Apelit të mbrojtjes, duke lënë në fuqi vendimin e trupit gjykues për t’i konsideruar të pranueshme deklaratat e mëparshme përkatëse”, ka shtuar ai, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Tutje, ai ka thënë se mbrojtësi i Nasim Haradinajt, ka ridorëzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme.
“Më 8 maj, paneli i Gjykatës Supreme urdhëroi mbrojtjen e Haradinajt që ta ridorëzojë kërkesën e vet pasi konstatoi se ishte tejkaluar numri i lejuar i fjalëve. Mbrojta e Haradinajt e ridorëzoi kërkesën më 10 maj 2023, sa u përket hapave të ardhshëm, paneli i Gjykatës Supreme ka urdhëruar Prokurorinë që të dorëzojë përgjigje ndaj parashtrimeve të mbrojtjes në lidhje me mbrojtjen e ligjshmërisë brenda 60 ditësh dhe mbrojtja do t’i ketë 30 ditë pas kësaj që t’i kundërpërgjigjet Prokurorisë”, ka thënë ai.
Paraprakisht, Doyle tha se lidhur me çështjen Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, që të dy u janë drejtuar Dhomës së Gjykatës Supreme të DhSK-së me kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë në lidhje me aktgjykimin e panelit të Gjykatës së Apelit në këtë çështje.
Lidhur me çështjen gjyqësore të Salih Mustafës, Doyle ka thënë se versioni i redaktuar publik i dosjes së Apelit të mbrojtjes është në dispozicion në faqen e internetit të DhSK-së, versioni origjinal i dosjes së dorëzuar më 24 prill.
“Dosja e Apelit është një dokument me të cilin mbrojta përshkruan të gjitha argumentet të precedentit gjyqësor, në mbështetje të apelit kundër aktgjykimit, hapi i ardhshëm në procesin e apelit është që Prokuroria dhe mbrojtësi i viktimave t’iu përgjigjen argumenteve të mbrojtjes”, ka shtuar ai.
Në fund, ai tha se më 5 maj 2023, paneli i Gjykatës së Apelit ka miratuar pjesërisht kërkesën e prokurorisë dhe të mbrojtësit të viktimave për zgjatjen e afatit për dorëzimin e dosjeve të tyre në përgjigje ndaj dosjes së Apelit të mbrojtjes deri më 5 qershor 2023.
Ndërkaq, Doyle ka filluar informimin javor duke njoftuar pjesëmarrësit lidhur me çështjen gjyqësore të ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.
Doyle tha se në këtë çështje dëshmitari i katërt i thirrur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) filloi dhënien e dëshmisë, e cila deri më tani është kryer në seancë private.
Tutje, ai tha se në të njëjtën çështje gjyqësore më 8 maj ekipet e mbrojtjes së Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit dorëzuan versionin e redaktuar publik të dosjeve paraprake të tyre, të cilat mund të gjenden në faqen e internetit te DhSK-së.
“Sipas rregullores, dosja paraprake e mbrojtjes mund të tregojë në pika të përgjithshme llojin e argumenteve mbrojtëse të të akuzuarit”, ka shuar Doyle.
Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.


