Nga zyrtarët policor të rajonit Prishtinës, gjatë javës së kaluar në lokacione të ndryshme dhe aksione të ndara, janë realizuar 238 urdhëresa të gjykatës, prej tyre 52 urdhëresa për vepra penale, ndërsa të tjerat për kundërvajtje, seanca e verifikime.
Sipas njoftimit zyrtar, në përputhje me urdhëresat, pas përfundimit të procedurave policore, personat e dënuar me burgim janë dërguar për vuajtje të dënimit, ndërsa personat e dënuar me gjobë, janë liruar, pasi të njëjtit kanë kryer obligimet e caktuara në urdhëresa.
Por, aktivitetet policore janë shtrirë edhe në segmente të tjera të sigurisë.
Kësisoj në harkun e njëjtë kohor janë sekuestruar 17 armë zjarri, të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, si dhe municione të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm.
Ndërkohë, në kuadër të sferës së sigurisë në trafikun rrugor, janë realizuar 4394 gjoba për lloje të ndryshme të kundërvajtjeve dhe shkeljeve të kodit rrugor, prej tyre 718 të evidentuara nga vetura inteligjente dhe vetura me radar mobil.


