U bënë më shumë se katër muaj, që kur një aksion Njësisë së Krimeve Ekonomike dhe Prokurorisë Themelore në Pejë në komunat Pejë, Deçan, Klinë dhe Istog, kishte vënë në pranga dhjetë (10) zyrtarë të lartë, nën dyshimin për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare, raporton Gazeta Blic.
Rajan Arapi – drejtori i Urbanizmit në Pejë, Florije Berisha – zyrtare ligjore në Drejtorinë e Urbanizmit në Pejë, Lorenc Marleku – drejtori i Urbanizmit në Klinë, Ali Gashi – zyrtar në Drejtorinë e Urbanizmit në Klinë, Ramë Melaj – drejtori i Urbanizmit në Deçan, Jashar Blakaj – drejtori i Urbanizmit në Istog, Rexhep Blakaj – shefi i divizionit në Drejtorinë e Urbanizmit në Istog, ishin personat e arrestuar gjatë këtij aksioni.
Ndaj tyre rëndonte akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe korrupsion, në lidhje me ndërtimet në këto komuna.
Ani pse ka kaluar kaq kohë, që kur janë arrestuar, ndaj tyre nuk dihet se a është ngritur aktakuzë, për dyshimet ndaj të cilëve rëndojnë.
Gazeta Blic, ka biseduar që disa ditë me zëdhënësin e Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, për të marrë përgjigje zyrtare se çfarë ka ndodhur me lëndën ndaj këtyre të arrestuarve, ai nuk është përgjigjur.
Fillimisht ka kërkuar nga gazetari që pyetjet t’i dërgojë në email-in zyrtar, por as aty ai nuk ka shprehur gatishmëri për t’u përgjigjur.
Në këtë aksion ishin të angazhuar pesë prokurorë dhe vet kryeprokurori i Pejës, Agim Kurmehaj, në koordinim me Njësitin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë.
Menjëherë pas aksionit, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj kishte dhënë detaje rreth aksionit që ishte në komunën e Pejës, Klinës dhe Istogut.
Kurmehaj pati thënë se kanë arrestuar 10 persona, katër prej tyre drejtor të urbanizimit dhe tjerët zyrtarë të lartë, të cilët dyshohet se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës”.
“Kjo iniciative ka rrjedhe prej meje, pas shqetësimit të qytetarëve për ndërtimet pa leje që janë duke u lejuar në Klinë, Deçan, Pejë, Junik dhe Istog. Unë si kryeprokuror kam caktuar pesë prokurorë që janë marrë me rastin. Kemi bastisur tri komuna, Pejë, Klinë Istog, 10 janë arrestuar, disa prej tyre drejtorë, nën dyshimet se kanë kryer vepër penale keqpërdorim të pozitës zyrtare”, kishte deklaruar ai në një konferencë për media.
Madje, prokurorja e këtij rasti, në ditën e arrestimeve, në një konferencë për media, pati thënë se ky aksion është vetëm fillimi, pasi që siç thoshte ajo: tashmë kanë siguruar dëshmi për ndërtime pa leje.
@Gazeta Blic