Lajme

Detaje të reja për rastin e pronës në Veternik: E ndjera kishte edhe katër fëmijë, Ylber Hyseni u paraqit trashëgimtar i vetëm, rreth 4 hektarë në emër të Melihate Gashit

12/23/2025 14:47
nga:Sh R

Beteja për pronën milionëshe në Veternik po vazhdon, përveç afër 3 hektarëve të sekuestruar më urdhër të Gjykatës, Prokuroria Themelore në Prishtinë, kishte sekuestruar përkohësisht edhe 7 hektarë tjerë, që dyshohet se u fituan me vepër penale.

Për rreth 3 hektarë tokë, pronarë pretendojnë të jenë Nexhat dhe Gursel Sadiku, të cilët edhe kishin paraqitur kallëzim penal në Prokurori.

Ndërsa të dyshuar në këtë rast janë: Ylber Hyseni, i cili dyshohet për veprën penale “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”, dhe “Mashtrimi”, për të njëjta vepra penale dyshohet edhe Afrim Gashi, dhe pas zgjerimeve të hetimeve Hyseni e Gashi dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer edhe për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”. Ndërsa, tashmë edhe Melihate Gashi dyshohet për “Deklarimet e rreme”, nga neni 384 i Kodit Penal.

Nga dosja e Prokurorisë  që e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, përkatësisht kërkesa për lëshimin e urdhrit të përhershëm për 7 hektarë tjerë në Veternik, të bërë më 13 tetor 2025, thuhet se nga hapja e trashëgimisë rezulton se të pandehurit Ylber Hyseni, Afrim Gashi dhe Melihate Gashi, kanë deklaruar rrejshëm sa i përket trashëgimtarëve, pasi që nga trungu familjar vërtetohet se përveç Ylber Hysenit, tani e ndjera Zojë Hyseni kishte edhe katër fëmijë tjerë: H.H., H.H., S.H., dhe H.H- tani e ndjerë.

Nga deklarata e tre fëmijëve tjerë, sipas Prokurorisë, vërtetohet fakti se gjyshi i tyre, Rr.P., nuk ka pasur ndonjë pasuri në Prishtinë.

E ndjera Zojë Hyseni, për 9 muaj kishte fituar të drejtën e pronësisë për rreth 9 hektarë tokë në Veternik, me dokumente të viteve ;60, ku thuhej se tokën e kishte trashëguar nga babai i saj Rr.P., ndërsa pas vdekjes se saj, si trashëgimtar i vetëm ishte paraqitur Ylber Hyseni.

Në pasuritë e specifikuara nga Prokuroria, del se rreth 4 hektarë tokë, janë bartur në emër të Melihate Gashit, ndërsa në pronë kanë hyrë edhe pronarë tjerë.

Prokuroria, në vazhdimësi kishte kërkuar urdhër ndalues vetëm për rreth 3 hektarë tokë. “Betimi për Drejtësi”, kishte pyetur Prokurorinë Themelore në Prishtinë, se pse nuk kishte kërkuar urdhër ndalues përfundimtar për gjithë pronën e fituar prej 9 hektarësh, duke e ditur se veprat penale ndiqen ex-officio (sipas detyrës zyrtare).

Ndërsa, kërkesën për caktimin e urdhrit ndalues përfundimtar për 7 hektarë, Prokuroria thotë se e bazon në atë se në ekspertizat e bëra ndaj dokumentit Resenje Broj, ku krahasuar me mostra tjera të dokumenteve të marra atëkohë, del se është shkruar me makinë tjetër shkrimi dhe ka mospërputhje tjera si tek shkronja X, numrat si 3 dhe 8, dhe hapësirat mes disa fjalëve.

Ndërsa, si provë tjetër është paraqitur edhe përgjigja e ILECU, nga arkivi serb, ku thuhej se origjinali i këtyre dokumenteve nuk gjenden në arkivat e tyre, për çka “Betimi për Drejtësi” kishte zhvilluar edhe hulumtim.

Kjo kërkesë e Prokurorisë për rreth 7 hektarë, është refuzuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, ndërsa Prokuroria ka bërë ankesë në Gjykatën e Apelit.

Kurse, për 3 hektarë tjerë, gjyqtarja e procedurës paraprake Edita Çanta, më 11 shtator 2025, kishte urdhëruar ndalimin përfundimtar, pasi Apeli e kishte kthyer në rivendosje për herë të pestë çështjen e sekuestrimit të pronës milionëshe.

Me vendimin e 11 shtatorit, Gjykata kishte ndaluar shitjen, blerjen, qiranë dhe çdo formë tjetër ku shtrihet pjesa e ngastrës më numër 10433-0. Këtë vendim thuhej se do ta ekzekutonte Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar në afat prej 15 ditësh. Ndërsa, Policia e Kosovës obligohej që ta zbatojë këtë urdhër ndalues, duke u kujdesuar për pasurinë e sekuestruar.

Por, ky vendim, sipas familjes Sadiku nuk po zbatohej me urdhër të vetë gjyqtares Edita Çanta, për çka kishin bërë kallëzim penal dhe kërkesë për përjashtim të saj. Sipas tyre, gjyqtarja përmes telefonit ka ndaluar Policinë e Kosovës që të ekzekutohet urdhri dhe kjo evidentohet në vetë një e-mail zyrtar të Policisë ku në raport zyrtar theksojnë se citohet: “Sa i përket kësaj kemi kontaktuar me gjyqtaren e procedurës paraprake Edita Çanta e cila pas konsultimit lidhur me këtë çështje na udhëzon dhe sugjeron se banoret qe kanë blerë banesë nuk mund të iu mohohet e drejta që të shfrytëzojnë banesën e tyre vetëm se nuk i lejohet që të kryejnë tjetërsime në objekt…“.

Gjyqtarja Edita Çanta, ishte përjashtuar nga rasti i pronës milionëshe në Veternik. Ish-kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama, gjyqtaren Çanta e ka përjashtuar me arsyetimin se tashmë ka një kallëzim penal ndaj saj nga familja Sadiku dhe në të njëjtën kohë, edhe ajo ka bërë një kallëzim penal ndaj djalit të palës në këtë rast Nexhat Sadikut- Ergyn Sadiku, me pretendimet për kërcënim.

Kallëzimin e penal, të bërë nga familja Sadiku ndaj gjyqtares Edita Çanta, për pretendimet për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, po e trajton Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK).

Ky kallëzim penal, ishte paraqitur në Prokurorinë Themelore në Prizren, por kjo e fundit kompetencat ia ka bartur PSRK-së, si autoritet për hetimin e rasteve të prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Për pronën rreth 9 hektarëshe, e cila dyshohet se u fitua me vepër penale, “Betimi për Drejtësi” kishte raportuar më 13 shtator 2021, dhe kishte zhvilluar debat në emisionin “Tempus”. Kjo do bënte që Prokuroria të trajtonte kallëzimin penal të bërë nga palët dhe të niste hetimet ndaj Ylber Hysenit.

Këtë pronë, e kishte fituar tashmë e ndjera Zojë Hyseni, nëna e Ylber Hysenit i cili më pas është paraqitur si trashëgimtari i vetëm. Përmes Dhomave të Posaçme të Gjykatës Supreme, e ndjera Hyseni kishte fituar mbi 9 hektarë tokë, përmes dokumenteve që dyshohet se janë të falsifikuara.

Më 6 prill 2024, “Betimi për Drejtësi”, kishte publikuar hulumtimin “Beteja” për pronën milionëshe në Veternik”, ku tregohej se si çështja e sekuestrimit të pronës kishte shkuar sa në shkallë të parë, sa në shkallë të dytë dhe nuk është marrë një vendim përfundimtar, gjersa dëmi po rritej.

Gjykata Themelore në Prishtinë, përkatësisht gjykatësja e procedurës paraprake, Edita Çanta, më 18 dhjetor 2022, për herë të parë do të lëshonte urdhrin për sekuestrim të përkohshëm.

Por, pas një muaji, e njëjta gjyqtare kishe marrë aktvendim për refuzimin e kërkesës për lëshimin e urdhrit ndalues përfundimtar. Kështu, rasti kishte shkuar edhe katër herë të tjera në Apel, e cila gjykatë kishte kthyer rastin në rivendosje, por Themelorja prapë kishte vendosur mos të lëshonte urdhër sekuestrues për këtë pronë.

Kurse, “Betimi për Drejtësi” më 26 tetor 2024, publikoi hulumtimin “Misteri i zarfit nga Serbia “provë e dyshimtë” për pronën milionëshe”, ku tregohej se si Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte vendosur t’ia falte besimin një prove të ardhë përmes postes “DHL Serbia”, duke injoruar përgjigjen zyrtare të ardhë përmes bashkëpunimit me ILECU.

Prokurorja Nebahate Salihu, këtë përgjigje zyrtare nuk e kishte përfshirë as në aktvendimin për pushimin e hetimeve. Ndërsa, zarfi i referohej kërkesës së Ministrisë se Drejtësisë. Kjo e fundit ka thënë se nuk ka marrë asnjëherë përgjigje lidhur me këtë kërkesë, e cila shkon përmes zyrës se BE-së, njësoj edhe përgjigja.

Në këtë zarf të dërguar përmes rrugëve jozyrtare, kinse gjendej historiku i kësaj prone 9 hektarëshe dhe i referohej Kosovës Republikë, çka sipas palëve ngriste dyshimin për një falsifikim tjetër të radhës.

Më 29 tetor 2024, me një përgjigje me shkrim për “Betimi për Drejtësi”, Danilo Radunoviq, përgjegjës i Departamentit të Arkivave të Entit Republikan i Gjeodezisë në Serbi, ka thënë se ata nuk kanë asnjë lidhje me ketë dërgesë.

“Enti Republikan i Gjeodezisë-Departamenti i Arkivës dhe unë personalisht, nuk kemi asnjë lidhje me dërgesën e DHL që ju e përmendni, si dhe nuk e kemi njohuri se kush e ka dërguar”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni të Serbisë.

Po ashtu, në përgjigjen e këtij institucioni të Serbisë, thuhet se Enti Gjeodezik Republikan lëshon dhe dërgon dokumente vetëm në mënyrën e përcaktuar me ligj dhe kjo nuk dërgohet përmes Postës “DHL”.

Hulumtimi i “Betimi për Drejtësi” tregon se si po hetohet edhe noterja Valdete Ademi që kishte noterizuar këto dokumente, e cila shihet se ka shoqëri me gruan e të dyshuarit Afrim Gashi, Melihate Gashin. Për Gashin, Njësia e Inteligjencës Financiare kishte rekomanduar Policisë që të hetohej për transaksione të dyshimta dhe evazion fiskal.

Në një foto ku noterja dhe Melihate Gashi shihen në shoqërimin e njëra-tjetrës, prokuroja që ka mbyllur rastin- Nebahate Salihu, kishte komentuar duke i dërguar një “lule të madhe”.

Prokurorja Salihu kishte refuzuar të përgjigjet se pse kishte mbyllur hetimet për këtë rast bazuar në një zarf.

“Përgjigjem me kohë. Ju kam tregu edhe herën e kaluar, se jam për ngutë, e kam një kërkesë atje. Më fal”, kishte thënë prokuroria Salihu.

Ndryshe, djali i Nexhat Sadikut, Ergyn Sadiku, i cili pretendon të jetë pronari i vërtetë i kësaj prone, thotë se arsyeja se po hasin në pengesa për të zbardhur këtë rast është se mbrapa të dyshuarve qëndrojnë njerëz të fuqishëm.

“Kemi gjetur fotografi që janë të komentuara në rrjete sociale mes anëtareve të Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale z. Blerim Isufaj, fëmijët e tij bëjnë komente tek familja e Afrim Gashit, konkretisht i bëjnë komente bashkëshortes së Afrim Gashit, Melihate Gashit”, ka thënë Ergyn Sadiku.

Prokuroria e Apelit, pas ankesës së palëve, kishte kthyer rastin në rivendosje dhe ka treguar se si Themelorja të veprojë tutje.

Në këtë rast, pronarë të rreth 3 hektarë tokë pretendojnë të jenë Nexhat dhe Gursel Sadiku. Detajet nga hulumtimi, mund t’i gjeni: KËTU.

Pas hulumtimit “Misteri i zarfit nga Serbia “provë e dyshimtë” për pronën milionëshe”, prokurorja Nebahate Salihu është përjashtuar nga rasti i pronës në Veternik-Prishtinë. Ndërsa, kishte reaguar edhe atëkohë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu duke thënë se ky rast është shembull se si ka funksionuar e funksionon ende drejtësia në Kosovë.

Këtë pronë, Nexhat dhe Gursel Sadiku pretendojnë se e kishin në posedim dhe e kishin punuar qysh nga viti 1938. Pasi kishin kuptuar se toka iu është marrë nga komuna, familja Sadiku kishte bërë padi në vitin 1984 për të vazhduar me disa procedura deri pas luftës. Në vitin 2010, kësaj herë në Dhomat e Posaçme të Gjykatës Supreme, ata do bënin padi ndaj “Kosova Eksport” që përfaqësohej nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).

Për dallim nga familja Sadiku, të cilët të drejtën e pronësisë për rreth 3 hektarë në gjykatën e kishin kërkuar qysh nga 1984, këtë parcelë përfshirë edhe parcelat tjera, në total 9 hektarë në “Veternik”, e kishte fituar Zojë Hyseni, 86 vjeçare.

Padia e 86 vjeçares e bërë tek më 9 dhjetor 2014 ishte trajtuar në kohë rekord ku më 14 shtator 2015, pra për vetëm 9 muaj e 6 ditë, iu ishte njohur e drejta e pronësisë. Aktgjykimi ishte marrë pak ditë para se të ndërronte jetë Zojë Hyseni, ndërsa Gjykata për vdekjen e saj ishte njoftuar tek në vitin 2019, pasi ky vendim ishte bërë i plotfuqishëm.

Në anën tjetër, padia e familjes Sadiku megjithëse ishte bërë para asaj të Hysenit, ajo u trajtua 7 vite pas, në vitin 2017. Madje, u trajtua nga po i njëjti Kolegj, i cili padinë e saj, e kishte hedhur poshtë në mungesë legjitimiteti të palëve.

Pas ankesës, më 2021 shkalla e dytë e Dhomës së Posaçme të Gjykatës se Supreme, kishte ndryshuar vendimin e shkallës së parë dhe padinë e kishte refuzuar si të pabazuar mbi bazën se kjo çështje tashmë është çështje e gjykuar.

Pra, kolegjet vendosën për padinë e dytë, të bërë në vitin 2014 dhe jo për padinë e parë të ushtruar në vitin 2010. Zojë Hyseni të drejtën e pronësisë e kishte fituar në bazë të dokumenteve të viteve ’60-ta të nxjerra asokohe në gjuhën serbe, për të cilat palët po ngrisin dyshime se të njëjtat ishin të falsifikuara.

Këto dokumente i kishte noterizuar noterja Valdete Ademi, e cila në deklaratën e saj në Polici kishte deklaruar se me përgjegjësi të plotë deklaron se ajo këto dokumente i kishte noterizuar nga origjinali dhe se ajo asnjëherë nuk noterizon diçka pa pasur në dorë origjinalin.

Megjithëse, sipas aktgjykimit të Gjykatës mbi bazën e së cilit Zojë Hyseni e kishte fituar pronën thoshte se, origjinali i tyre gjendej në arkivat përkatëse të Komunës së Prishtinës, e vërteta nuk qëndronte ashtu.

Palët Sadiku, privatisht kanë bërë një ekspertizë të dokumentit “Resenje Broj ”, të vitit 1961 e që sipas ekspertizës nga mostrat e analizuara vula nuk është e njëjtë me mostrat e marra të asaj kohe, si dhe nënshkrimi nuk është i zyrtarit që ka nënshkruar.

Për më tepër, palët kanë pretendime edhe për dokumente tjera, të cilat Kolegji i kishte marrë parasysh, e që sipas tyre datat e lëshimit të dokumenteve rezultojnë ditë vikendi.

Emri i të ndjerës Zojë Hyseni, dyshohet të jetë përdorur për një skemë të madhe mashtrimi, pikërisht nga djali i saj Ylber Hyseni. Ai në të gjitha dokumentet do paraqitej si përfaqësues i saj, e më pas edhe si trashëgimtari  i vetëm.

Për këtë, do trashëgonte pronën milionëshe në Veternik, për të cilën nuk do vononte ta parcelizonte dhe shiste.

Për këtë rast, ishte lëshuar urdhërarrest për Ylber Hysenin i cili gjendej në arrati, ndërsa ishte arrestuar bashkëpunëtori i tij Afrim Gashi, i cili ishte i autorizuar nga Ylber Hyseni për të bërë shitblerjen e kësaj prone.

Për Afrim Gashin dhe gruan e tij Melihate Gashin, raport ka nxjerrë edhe Njësia për Inteligjencë Financiare, kur ka kërkuar të hetohen për transfere të dyshimta dhe shmangie nga tatimi.

Në anën tjetër, avokati Venhar Hana, i cili është edhe bashkëpronar në këtë pronë, u ndalua në qershor të këtij viti (2025) dhe iu caktua paraburgimi pasi dyshohet për falsifikim të dokumenteve të pronës 4 hektarëshe të Radio Televizionit të Prishtinës (RTP), gjithashtu në Veternik.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.