Lajme

Detaje nga spitali ku po trajtohen të mbijetuarit e tragjedisë në Bullgari: Kanë dalë nga kujdesi intensiv

11/25/2021 11:00
nga:M K

Shtatë të mbijetuarit e aksidentit të tmerrshëm në Bullgari që ua mori jetën 46 bashkëudhëtarëve të tyre, janë në gjendje stabile.

Nga spitali Pirogov në Sofje kanë thënë se asnjëri nga shtatë të mbijetuarit nuk e ka jetën në rrezik, shkruan gazeta bullgare, Trud.

“Viktimat e aksidentit në autostradën Strumë, të cilët janë të vendosur në Pirogov, janë në gjendje të përgjithshme stabile. Nuk ka rrezik për jetën e tyre”, njoftojnë nga ky institucion mjekësor.

Dy personat të cilët u operuan dje, janë gjithashtu në gjendje të mirë shëndetësore.

Viktimat, të cilët ndodheshin nën kujdes intensiv, janë transferuar në repartin e Klinikës së Djegieve dhe Kirurgjisë Plastike.

Një nga viktimat do të operohet sot.

Nisur nga tronditja e asaj që ndodhi dhe psiko-traumat e rënda të viktimave, nga spitali është ofruar mbështetje e specializuar psikologjike.

“Ende nuk ka një parashikim të qartë se kur mund të lirohen”, sqarojnë nga spitali Pirogov.