Analisti politik, Shenoll Muharremi, ka thënë se kemi gabuar si shoqëri, duke zgjedhur një parti me mbi 50 për qind, e cila tashmë me vite në qeverisje e ka dëshmuar se as nuk di të qeverisë, as të menaxhojë ekonominë, energjinë e arsimin, raporton Gazeta Blic.
“E megjithatë, kosovarët, me apo pa vetëdije, i dhanë mbi 50% një partie të vetme që ka dëshmuar se as arsimin, as ekonominë, as energjinë, as diplomacinë… nuk di ta menaxhojë dhe që për pesë vite nuk ka zhvilluar asnjë projekt të vetëm madhor zhvillimor”, ka shkruar ai ndër të tjera.
Postimi i tij i plotë:
Po, gabuam dhe dështuam si shoqëri
Zgjodhëm një parti me mbi 50%, e cila tashmë me vite në qeverisje e ka dëshmuar se as nuk di të qeverisë, as të menaxhojë ekonominë, energjinë e arsimin.
Masovikisht u shpërblye dhe u zgjodh një qeveri e parti që e rriti varfërinë vitet e fundit dhe çmimet u rritën aq shumë sa fuqia blerëse e qytetarit u gjunjëzua. Importi u rrit dramatikisht dhe deficiti në mallra shkoj në 6 miliardë euro në vit. Çmimet e energjisë u rritën 3 herë duke shkaktuar kaos dhe inflacion kronik me pasoja të mëdha negative për bizneset, ekonominë dhe familjet.
Në një botë që po ndryshon me shpejtësi dhe në një rend ndërkombëtar që po shthurret, Kosova votoi masovikisht për një parti që nuk di të kultivojë marrëdhënie të mira me aleatët që realisht e garantojnë sovranitetin dhe kufijtë e saj. Një parti që nga mosdija e futi Kosovën nën masa të BE-së dhe e detyroj SHBA-në të pezulloj Dialogun Strategjik me Kosovën.
Mbi 50% për një parti që ka dëshmuar se nuk di të menaxhoj as arsimin, se gjatë mandatit rezultatet e PISA, por edhe Raporti Vjetor i BE-së për Kosovën kanë konfirmuar që fëmijët tanë janë disa vite mbrapa atyre Europian në shkollim.
SHBA tani sapo ka paralajmëruar edhe tërheqjen nga dhjetëra organizata ndërkombëtare, që konfirmon ndryshimin dinamik të rendit botëror që e njohëm. Ndërsa kryeministrja e Danimarkës deklaroi se, nëse SHBA e anekson Greenlandën, NATO mund të mos ekzistojë më.
Në këto rrethana rajonale dhe globale, pasiguria për të ardhmen e vendit nuk ka qenë kurrë më e madhe gjatë 25 viteve të fundit.
E megjithatë, kosovarët, me apo pa vetëdije, i dhanë mbi 50% një partie të vetme që ka dëshmuar se as arsimin, as ekonominë, as energjinë, as diplomacinë… nuk di ta menaxhojë dhe që për pesë vite nuk ka zhvilluar asnjë projekt të vetëm madhor zhvillimor.
Po, dështuam si shoqëri.


