Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, këtë të enjte ka dështuar të nisë gjykimi ndaj të akuzuarve Dragan Çvetkoviç, Dragan Niciç, Milos Sosiq, Nenad Stojanoviç dhe Slobodan Jetivç, të cilët ngarkohen për krime lufte kundër popullatës civile në kohën e luftës së fundit në Kosovë.
Në këtë seancë, mbrojtësja e të akuzuarit Çvetkoviç, avokatja Jovana Filipoviç ka thënë se prokuroria ka qenë e obliguar që në momentin e ngritjes së aktakuzës të gjitha provat e aktakuzës të ua dorëzojë, mirëpo kjo gjë nuk është bërë, andaj e njëjta konsiderojë se kjo seancë nuk mund të mbahet.
Lidhur me këtë, prokurori special Atdhe Dema tha se aktakuza është dorëzuar më 7 dhjetor 2024, dhe sipas tij, duke marrë parasysh se një pjesë e madhe stafit kanë qenë në pushim për shkak të festave, një pjesë e provave nuk kanë mundur të dorëzohen së bashku me aktakuzën, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Mirëpo, i njëjti tha se në afat prej 2 javësh, mbrojtja do të pajiset me të gjitha shkresat e lëndës.
Andaj, gjykatësi Rrahman Beqiri konstatoi se nuk ka kushte që të mbahet seanca e sotme.
Dosja e Prokurorisë ndaj pesë të akuzuarve
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 27.12.2024, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve Çvetkoviç, Nicić, Sosiç, Stojanovç dhe Jetviç të cilët akuzohen se si pjesë e grupit kriminal në bashkëkryerje edhe me pjesëtarë tjerë të paidentifikuar të këtij grupi të armatosur dhe të veshur me uniforma të kamufluara dhe uniforma jo të rregullta të policisë apo ushtrisë serbe, gjatë periudhës së luftës në Kosovë, konkretisht më 5 maj të 1999-ës në orët e para të mëngjesit kishin ndërmarrë një aksion në disa fshatra të regjionit të Gjilanit, ku ishin vrarë tetë civilëve shqiptarë.
Në dosjen e Prokurorisë thuhet se në mes të fshatrave Inatoc (Kukaj) dhe Llovcë të vendi i quajtur “Kisha e Epërme”, fillimisht të akuzuarit i kishin ndalur viktimat Rr.I dhe Xh.Z, dhe kishin filluar ta maltretonin Rr.I, duke e goditur pandërprerë në pjesë të ndryshme të trupit, ku më pas kishin shtënë me armë në drejtim të Xh.Z, e cila ishte duke ecur në drejtim të Rr.I, ku si pasojë Xh.Z kishte mbetur e vrarë.
Tutje, në aktakuzë thuhet se të pandehurit kishin vazhduar ta godasin me thika tani të ndjerin Rr.I. në pjesë të ndryshme te trupit dhe më pas në një grumbull të dushkut të ndezur, i kishin vendosur të dy viktimat, ku Rr.I ishte ende gjallë dhe i kishin djegur trupat e tyre, ngjarje kjo e cila ishte parë nga dëshmitari okular R.R.
Gjithnjë sipas aktakuzës, të pandehurit e lartcekur, në drejtim të fshatit Llovë në vendin e quajtur “Lugu i Elbishtës”, i kishin ndaluar tani viktimat R.D, S.Xh, Xh.H, A.R, të dëmtuarin N.H dhe N.H, të cilët në kërcënim të armëve i kishin detyruar të shtriheshin në tokë, i kishin kontrolluar dhe më pas e kishin liruar N.H, ndërsa kishin shtënë me armë në drejtim të viktimave, ku si pasojë kishin mbetur të vrarë R.D, S.Xh, Xh.H, A.R. Ndërsa N.H e kishin urdhëruar që t’i grumbullonte trupat e viktimave e t’i vendostë mbi një grumbull të drunjëve pastaj e kishin urdhëruar që të shtrihej edhe vet mbi viktimat dhe kishin shtënë me automatik mbi të dëmtuarin N.H, i cili kishte marrë dy plagë, një në qafë dhe në shpatullën e majtë por që iu kishte mbijetuar plagëve të marra.
Më tej në aktakuzë thuhet se në fshatin Llovcë përderisa popullata civile ishin duke u larguar me traktora me rimorkio, pjesëtarë të këtij grupi kriminal kishin filluar të gjuanin në drejtim të tyre ku si pasojë ishte plagosur viktima N.A e cila si pasojë e plagëve të marra kishte ndërruar jetë, dhe po ashtu ishte plagosur edhe M.A e cila në atë kohë ishte 2-vjeçe. Gjithashtu, edhe në dalje të fshatit Pogragjë, ky grup kriminal kishin shtënë në drejtim të viktimës N.R, i cili kishte ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.
Në aktakuzë thuhet se po ashtu, ky grup kriminal kishin maltretuar edhe të dëmtuarit F.H, B.M dhe M.R, ku këta dy të fundit i kishin dërguar në një kooperativë bujqësore në fshatin Pasjan ku i kishin maltretuar në forma ç’njerëzore.
Me këtë, në bashkëkryerje të akuzuarit kanë kryer veprën penale “Krime kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSFJ -së.
Ndërkaq, sipas aktakuzës të pandehurit Milos Sosiç dhe Nenad Stojanoviç akuzohen edhe për kryerjen e veprës penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 par.1 i KPRK-së. /BetimipërDrejtësi