Sporti

Dështon plani i tifozëve të Interit kundër Lukakut, “ultrasit” shprehen të revoltuar ndaj autoriteteve italiane

10/28/2023 10:04
nga:E K

30,000 bilbila janë dhënë kot pasi tifozët “ultras” të Interit njoftuan se u ndaluan t’i përdorin ato kundër sulmuesit të Romës, Romelu Lukaku.

Sulmuesi belg ishte në qendër të vëmendjes në merkaton e verës pasi “Nerazzurrët” vendosën të hiqnin dorë nga transferimi i tij nga Chelsea pasi zbuluan se ai kishte qenë në bisedime me rivalët, Juventusin dhe Milanin.

Dhe, Lukaku nuk është falur nga tifozët. Gjatë ditës së sotme nga mediat italiane u raportua se “ultrasit” e Interit të “Curva Nord” shpërndanë rreth 30,000 bilbila për t’i përdoruar duke fishkëllyer kundër Lukakut, për të shënuar kështu pritjen e tij si kundërshtar në “Guiseppe Meazza”.

Megjithatë, pas kësaj “ultrasit” e klubit nga Milano kanë njoftuar se atyre u është ndaluar përdorimi i këtyre bilbilave.

“Edhe më shumë abuzim. Bilbili i ndaluar!!! 10,000 në Firence ishte ok dy vjet më parë. Ligji nuk është i njëjtë për të gjithë”, thuhet në njoftimin e tyre.