Për shkak se ish-deputeti Haxhi Shala ishte duke u kthyer nga jashtë vendit në Kosovë, ka dështuar seanca e paraparë për të premten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Shala së bashku me ish-deputetin Ismajl Kurteshin akuzohen se hodhën gaz lotsjellës në Kuvend, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykatësi Eroll Gashi bëri të ditur se i akuzuari Shala ka qenë i ftuar përmes procesverbalit të kaluar për seancën e sotme, por sipas mbrojtësit të tij, avokatit Naser Sopjani, e ka kontaktuar me telefon, sot, ku i njëjti e kishte njoftuar se ishte duke u kthyer në Kosovë.
“Sipas të mbrojturit tim, ai është duke u kthyer nga Kroacia në Kosovë dhe për seancën e radhës, ai do të paraqitet duke i kërkuar falje gjykatës për këtë mungesë që ka ndodhur pa dashjen e tij”, ka deklaruar avokati Sopjani.
Në këto rrethana, gjykatësi Gashi ka kërkuar nga mbrojtësi i të akuzuarit Shala, avokati Sopjani që t’ia dorëzojë me parashtresë arsyet e mungesës, së bashku me dëshmi, në të kundërtën gjykata ndaj të akuzuarit Shala do të lëshojë urdhëresë për sjellje me detyrim.
Ndryshe, të pranishëm në këtë seancë ishini prokurori Besnik Jakupi dhe i akuzuari tjetër Ismajl Kurteshi, ndërsa seanca e radhës u caktua për 28 dhjetor.
Ky rast ka qenë duke u gjykuar në Departamentin e Krimeve të Rënda, por tani lënda ka kaluar për gjykim në Departamentin e Përgjithshëm, tek gjykatësi Eroll Gashi.
Sipas aktakuzës së ushtruar më 8 janar 2016, Ismajl Kurteshi dhe Haxhi Shala po akuzohen se më 30 nëntor 2015, rreth orës 11:00, në sallën e Seancave Plenare në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë, me qëllim të ndërprerjes së punimeve të seancës, kanë hedhur gazin lotsjellës, të cilën e posedonin pa autorizim.
Sipas aktakuzës, derisa Kryetari i Parlamentit ishte duke i njoftuar deputetët me rendin e ditës, të akuzuarit Kurteshi dhe Shala e kishin aktivizuar gazin lotsjellës.
Për këto veprime, Ismajl Kurteshi dhe Haxhi Shala po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshme” nga neni 375 par.1 të Kodit Penal.
Kurteshi dhe Shala po akuzohen edhe se kishin penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, përkatësisht pjesëtarët e Policisë dhe deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Një gjë të tillë, Haxhi Shala akuzohet se e ka bërë në cilësinë e deputetit nga radhët e Nismës për Kosovën, ashtu që me disa deputetë të tjerë janë munduar që ta pamundësojnë shoqërimin në Polici të deputetit Albin Kurti nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës si dhe kishte hedhur gaz lotsjellës duke pamundësuar mbajtjen e seancës plenare.
Kurse, Kurteshi akuzohet se në seancën e 30 nëntorit 2015, kishte hedhur gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit duke pamundësuar mbajtjen e seancës.
Për këto veprime, Kurteshi dhe Shala akuzohen edhe për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 409 par.1 lidhur me nenin 81 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi


