Për shkak të mungesës së të akuzuarit Artan Gjocaj, prokurores Sahide Gashi dhe përfaqësueses së palës së dëmtuar, ka dështuar seanca e së hënës në Gjykatën Themelore në Pejë, në rastin ku i Gjocaj po akuzohet për fajde.
Sipas parashtresës së mbrojtësit të të akuzuarit Gjocaj, avokatit Gëzim Kollçaku, i akuzuari ndodhet jashtë vendit për shkaqe shëndetësore.
Ndërsa, lidhur me mungesën e prokurores Sahide Gashi, gjykatësja Violeta Husaj-Rugova tha se e njëjta ishte e angazhuar në një seancë tjetër.
Në këtë seancë mungoi edhe përfaqësuesja e palës së dëmtuar, e cila e kishte njoftuar gjykatën se nuk mund të ishte e pranishme në seancë. Kurse, prezent ishte vetëm i dëmtuari Rifat Jasiq.
Në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e seancës, e njëjta u shty ndërsa e radhës u caktua më 11 nëntor 2022.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë, më 17 maj 2019, në mungesë të provave, Gjocajn e kishte liruar nga akuza për fajde.
Gjykata e Apelit më 9 shtator 2019, e ka konsiderur si të paqartë dhe në shkelje të dispozitave të procedurës penale, aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë, të gjykuar nga ish-gjykatësi Sylë Lokaj, me të cilin ishte shpallur i pafajshëm i akuzuari dhe anuloi aktgjykimin e Themelores.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë më 30 nëntor 2017, i pandehuri Artan Gjocaj akuzohet se gjatë periudhës 13 mars 2015 e deri më 29 janar 2016 në Deçan, ka shfrytëzuar mendjelehtësinë e të dëmtuarit Rifat Jasiq, me qëllim që të përfitojë pa asnjë angazhim duke kontraktuar kamatë joproporcionale për borxhin e dhënë.
Sipas akuzës, pasi të dëmtuarit i kishte arritur për pagesë shuma prej 140 mijë euro nga “ProCredit Bank”, i njëjti ka kërkuar hua nga i akuzuari Gjocaj për ta shlyer kreditin, në mënyrë që pastaj me kredi tjetër t’ia kthejë huanë të akuzuarit.
I pandehuri thuhet se pasi ia kishte dhënë shumën prej 45 mijë eurove, me kusht kthimi prej një muaji, në momentin kur i dëmtuari nuk ka pasur mundësi ta kthejë këtë shumë brenda këtij afati, i pandehuri ka kërkuar dhe pranuar për çdo muaj vonesë 4.2 %, gjegjësisht 1 mijë e 900 euro në muaj, përveç borxhit bazë, duke përfituar kështu shumën prej 26 mijë euro. /BetimipërDrejtësi


