Sporti

Dështoi keq në fund, trajneri i Ajaxit jep dorëheqjen

05/19/2025 12:37
nga:Lorik J

Trajneri i Ajaxit, Francesco Farioli, po largohet nga pozicioni i tij, njoftoi klubi.

Italiani dha dorëheqjen pas humbjes së skuadrës së Amsterdamit, e cila kryesonte renditjen e Eredivisie me nëntë pikë përpara PSV-së disa xhiro para fundit, por një seri rezultatesh të dobëta i kurorëzuan PSV kampionë me një pikë diferencë në fund.

36-vjeçari Farioli kaloi vetëm një sezon në krye të Ajax, por nuk arriti të fitonte një trofe, i cili do të kishte qenë i pari i karrierës së tij. Megjithatë, ai siguroi pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.

Nën udhëheqjen e italianit, Ajax luajti 53 ndeshje në të gjitha turnetë, në të cilat arriti 34 fitore, shtatë barazime dhe 12 humbje, duke shënuar 100 gola dhe duke pësuar 53.

Farioli ishte italiani i parë që drejtoi Ajaxin dhe trajneri i parë i huaj i ekipit që nga viti 1998. Emri i pasardhësit të tij nuk dihet ende.