Lajme

Dështimi me menaxhimin e pandemisë, kërkohet dorëheqja e ministrit Vitia

08/19/2021 11:34
nga:Y I

Situata me pandeminë Covid-19, ka dalë jashtë kontrollit në Kosovë.

Vetëm në 24 orët e fundit janë regjistruar 2 mijë e 110 raste të reja si dhe kanë humbur jetën katër persona në vend.

Pas kësaj situate të rënduar me pandeminë janë shtuar edhe zërat që kërkojnë dorëheqjen e Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.

Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë (FSSHK-së), Blerim Syla, në një prononcim për “Gazeta Blic” duke folur në lidhje me situatën e rënduar pandemike tha se Ministri Vitia duhet të japë dorëheqjen pasi nuk është në gjendje ta menaxhojë pandeminë.

Syla tha se nuk mundesh në të njëjtën kohë të bësh kampanjë dhe nga ana tjetër të merresh me politikë.

‘Unë e kam kërkuar që ministri Vitia ta lirojë detyrën sepse nuk është më në gjendje ta menaxhojë këtë situatë, duke marrë parasysh fakti se ai është tashmë kandidat për komunën e Prishtinës. Nuk mundesh në të njëjtën kohë të bësh kampanjë, sepse edhe vendimet që merren tani mundet me qenë vendime politike. Ju i keni parë vendimet e djeshme, edhe ato janë gjysmake, sepse të dënohen vetëm dasmat dhe të lejohen të tjerët për mua ka qenë paradoks. Andaj duhet me u ul me komuniku mirë, këtë strategji duhet me ba Instituti Kombëtar i shëndetit Publik dhe asesi politika”

Ai tutje shprehet se Qeveria Kurti gaboi me lehtësimin e menjëhershëm të masave, në prag të ardhjes së mërgimtarëve.

Ardhja e tyre, sipas Sylës, solli me vete edhe variantin Delta.

“Që me 24 prill unë i kam paralajmëruar që intensiteti i vaksinave duhet të shtohet, i jam drejtuar kryeministrit Kurti. Pastaj janë lëshuar masat njëherësh, na e dinim që do të vinin bashkëatdhetarët, mirëpo nuk ka qenë e udhës të lirohen masat njëherësh, pasi varianti Delta është paraqitur më herët në Evropë dhe është pritë që të vjen edhe këtu.Edhe këto pak masa që kanë qenë nuk janë mbikqyr, përveçse janë dënuar disa qytetarë. Këto kanë qenë gabimet e njëpasnjëshme të menaxhimit të Pandemisë, si rrjedhojë varianti Delta na ka ardhë nga jashtë” deklaroi Syla për “Gazeta Blic”

Ndërkohë, mjeku njëherësh deputet nga radhët e AAK-së, Shemsedin Dreshaj tha se Ministria e Shëndetësisë duhet të ndërmarrë veprime aktive në menaxhimin e situatës dhe të bëjë apel për vaksinim masiv.

“Ministria duhet të ndërmarrë veprime aktive në drejtim të menaxhimit të situatës. Duhet me u respektu masat për parandalimin e sëmundjes dhe me fillu me vaksinim më të madh, me ba apel tek popullata me iu përgjigj vaksinimit. Mund të menaxhohet situata edhe pse është shumë vonë tash” tha Dreshaj për “Gazeta Blic”

Aktualisht numri i rasteve aktive me Covid në Kosovë është 12,159 persona, numri i përgjithshëm i të shëruarve është 106.408, ndërsa që nga fillimi i pandemisë kanë vdekur 2,295 persona.

/Gazeta Blic/

12,159 raste aktive me koronavirus në Kosovë