Lajme

‘Dështimi i zgjedhjeve në veri’, Sheholli: Dialogu e vetmja zgjidhje, padëgjueshmëria qytetare mund të ngritet në nivele të tjera

04/23/2024 13:00
nga:Y I

Ka dështuar për herë të dytë të mbahet referendumi për largimin e  kryetarëve nga komunat në veri të vendit.

Kjo për shkak të thirrjeve të Listës Serbe për bojkotim të procesit.

Në lidhje me këtë situatë të krijuar ka folur për “Gazeta Blic”, drejtori i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, Fatmir Sheholli.

Sheholli tha se tashmë po ballafaqohemi me padëgjueshmëri qytetare të serbëve të Kosovës ndaj institucioneve të Republikës tonë.

Ai tha se ky problem nuk zgjidhet me polici dhe mjete represive por vetëm me dialog.

“Definitivisht është treguar që Kosova ka problem veçanarisht me katër komunat me shumicë serbe në veri te vendit dhe se ky problem është problem politik. Ne duam apo s’duam ta pranojmë jemi duke u ballafaquar me padëgjueshmëri qytetare të serbëve të Kosovës ndaj institucioneve të Republikës tonë. Ky problem nuk zgjidhet as me polici dhe as me mjete represive por me dialog dhe vetëm me dialog ashtu siç dikur pretendonte kryeministri Kurti para zgjedhjeve parlamentare në vitin 2021 kur e proklamoi dialogun me serbët lokalë por nuk e bëri” deklaroi Sheholli.

Sheholli tha se dialogu është e vetmja zgjidhje përndryshe padëgjueshmëria qytetare mund të ngritet në nivele të tjera.

“Unë e kuptoj se mund të kemi mospërputhje politike me serbët në Kosovë por dialogu është i vetmi mekanizëm me të cilin duhet të veprojnë institucionet e Republikës së Kosovës sepse  përndryshe kjo padëgjueshmëri qytetare mund të ngritet në nivele të tjera të cilat pastaj do të bëhen edhe më të mëdha dhe kjo do të na shkakton probleme të mëdha” deklaroi Sheholli për “Gazeta Blic”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve konfirmoi pas mbylljes së vendvotimeve, se largimi i kryetarëve ka dështuar.

Kryetari i KQZ-së dha edhe shifrat e votuesve që ushtruan të drejtën e votës në çdo komunë.

Në Zveçana snjë person, Leposaviq 124 votues, Zubin Potok 18 votues, dhe Mitrovicën e Veriut 111 votues.

/Gazeta Blic/

Dështimi i referendumit: Krejt çka ndodhi dje